UBT News

​Brenda pak ditësh do të publikohen dokumentet me taksat e ish-Presidentit Trump

Një nga Komisionet e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara votoi për të publikuar dosjet tatimore të ish-Presidentit Donald Trump. Dokumentet do të publikohen pjesërisht të redaktuara, dhe pritet të risjellin në vëmendje financat e ish-presidentit që ai është përpjekur t’i mbajë jashtë syve të publikut për një kohë të gjatë.

Komisionit i Kongresit për Mbikqyrjen e Taksave votoi pro publikimit të dokumenteve tatimore të z. Trump nga viti 2015 deri më 2021, periudhë kur ai ishte kandidat për president dhe pasi kishte fituar zgjedhjet e vitit 2016.

Kryetari i komisionit, Richard Neal tha se dokumentet do të publikoheshin brenda disa ditësh, pasi të redaktohen informacionet që kanë të bëjnë me privatësinë, si numrat e llogarive bankare. Demokratët kanë pak kohë për të vepruar, pasi në janar republikanët marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.

“Ky ishte një proces i gjatë, të cilin nuk e nisëm për të ndëshkuar, apo për t’i bërë keq ish presidentit. Ne respektuam me kujdes ligjin dhe këshilla ime për të gjithë anëtarët e komisionit është që të jenë shumë të kujdesshëm kur flasin për këtë”, tha Ligjvënësi Demokrat nga Masaçusets.

Anëtarët republikanë të Kongresit kundërshtuan vendimin e komisionit të udhëhequr nga demokratët. “Shqetësimi ynë nuk është nëse presidenti duhet t’i kishte bërë publike deklaratat e tij tatimore, siç është tradita, dhe as saktësia e deklaratave të tij tatimore. Shqetësimi ynë është se ky veprim i komisionit do të krijojë një precedent të rrezikshëm që shkojnë përtej presidentit dhe mund të ndikojnë mbi privatësinë për amerikanët e tjerë”, tha kongresmeni republikan Kevin Brady nga Teksasi.

Nuk është e qartë nëse dokumentet do të hedhin dritë mbi konfliktet e mundshme të interesit midis pronave të z. Trump dhe veprimeve të tij si president, ose sa taksa ka paguar kur ishte president. Ligjvënësit thanë se dokumentet kishin pak detaje.

Donald Trump, ndryshe nga kandidatët e mëparshëm presidencialë, refuzoi t’i bënte publike deklaratat e tij tatimore, me qëllim mbajtjen sekret të aktiviteteve të kompanisë së tij të pasurive të patundshme, “Trump Organization”.

Kandidatëve nuk u kërkohet me ligj të publikojnë deklaratat e tyre tatimore, por kandidatët e mëparshëm presidencialë të të dyja partive e kanë bërë vullnetarisht këtë për disa dekada.

Si kandidat në zgjedhet e vitit 2016, ai u mburr gjatë një debati televiz se ishte “i zgjuar” pasi nuk paguante taksa federale. Më 2017, ai nënshkroi një ligj mbi tatimet që u vlerësua se do favorizonte personat me pasuri të madhe. Trump tha se ai nuk do përfitonte personalisht nga ligjji i ri, duke u kërkuar amerikanëve që thjeshtë t’i besonin fjalës së tij.

Të dhënat tatimore do të shërbenin si vlerësim për të gjykuar suksesin e tij në biznes. Imazhi i një biznesmeni mendjemprehtë ishte çelësi i fushatës së z. Trump për president, një imazh ky i ndërtuar gjatë viteve edhe me ndihmën e shfaqjes televizive “The Apprentice”.

Publikimi i deklaratave tatimore gjithashtu mund të zbulojë detyrimet financiar, përfshirë borxhet e jashtme, që mund të kenë pasur ndikim në mënyrën se si ai qeveriste.

Por amerikanët ishin kryesisht në errësirë për këto të dhëna deri në tetor të vitit 2018 dhe shtator të vitit 2020, kur gazeta “The New York Times” publikoi artikujt bazuar në të dhënat tatimore që kishte siguruar nga burimet e saj.

Artikujt e vitit 2020 treguan se ish presidenti Trump kishte paguar vetëm 750 dollarë tatime mbi të ardhurat në vitet 2017 dhe 2018. Këta artikuj zbuluan se ish presidenti po ashtu nuk ka paguar asnjë taksë mbi të ardhurat për 10 nga 15 vitet e fundit, pasi ka deklaruar më shumë humbje se fitime. Vetë ish presidenti ka deklaruar se nga taksat e tij nuk ka ndonjë gjë të madhe për të mësuar, ndonëse ai ka luftuar që t’i mos i bëjë ato publike./VOA

Exit mobile version