Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell gjatë një dreke pune në Nju Jork me liderët e Ballkanit Perëndimor, theksoi mbështetjen që BE i ofron rajonit për të përmirësuar sigurinë energjetike dhe në trajtimin e kërcënimeve hibride, duke përfshirë kërcënimet kibernetike dhe manipulimin e huaj të informacionit.
Tema kryesore e drekës së punës, në të cilën mori pjesë edhe presidentja Vjosa Osmani, ishte ndikimi global dhe rajonal i “luftës së paligjshme dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës”.
“Diskutimi i sotëm u fokusua në ndikimin global dhe rajonal të luftës së paligjshme dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës. Përfaqësuesi i Lartë Borrell dhe liderët e Ballkanit Perëndimor diskutuan se si të zgjidhen së bashku pasojat e dëmshme të kësaj lufte mbi çmimet e ushqimeve dhe energjisë, si dhe stabilitetin dhe sigurinë në Evropë dhe globalisht”, thuhet në deklaratë.
“BE dhe Ballkani Perëndimor do të vazhdojnë të bashkëpunojnë për të përballuar sfidat që lufta e Rusisë kundër Ukrainës imponon në nivel global. BE-ja përfshin plotësisht Ballkanin Perëndimor në iniciativat e saj për të zbutur pasojat e luftës”, përfundon deklarata.
Sipas Shërbimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), këto takime mbahen dy herë në vit në Bruksel dhe Nju Jork dhe shërbejnë si një mundësi joformale për të shkëmbyer mendime mbi sfidat në rajon dhe të ardhmen evropiane të rajonit.