Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, bashkë me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak janë duke informuar ministrat e punëve të jashtme të Bashkimit Evropian, për rezultatet dhe hapat e radhës në dialogun Kosovë-Serbi.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në konferencë për medie të hënën. Ai nuk pranoi të komentojë rezultatet e takimeve të Lajçak dhe katër emisarëve të tjerë ndërkombëtar gjatë javës së kaluar në Kosovë dhe Serbi, por tha se pas takimit Borrell do të mbajë konferencë për medie në orën 18:00.
“Sa i përket asaj se si kanë shkuar takimet, përfaqësuesi special, Miroslav Lajçak, është deklaruar pas takimeve të tij, edhe në Prishtinë edhe në Beograd, duke bërë një përmbledhje. Ndërsa hapi i radhës, i menjëhershëm do të jetë informimi i ministrave në Këshillin për Punë të Jashtme, për rezultatet dhe hapat e radhës në dialog, ndërsa më shumë do të mund të dëgjoni kur të mbahet konferenca për shtyp, pas takimit të Këshillit”, tha ai.
Javën e kaluar në Kosovë dhe Serbi qëndruan për vizitë një delegacion i emisarëve ndërkombëtarë për të dinamizuar procesin e dialogut.