Barrikadat e vendosura nga serbët në veri të vendit për shkak të arrestimit të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, tash e pesë ditë vazhdojnë të qëndrojnë, ndërsa rrugët në drejtim të kufirit të Jarinjes dhe Bërnjakut janë të bllokuara.
Dyqanet pothuajse të gjitha janë të mbyllura përveç atyre të ushqimeve dhe barnatoreve, ndërkaq nëpër shkolla e fakultete mësimi nuk po mbahet.
Ndryshe, situata e përgjithshme e sigurisë në veri të vendit aktualisht është e njëjtë.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë patrullimin e tyre nëpër zonat me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës, duke ofruar rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim.
Barrikadat në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak u ngritën më 10 dhjetor nga grupe kriminale serbe, si shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë. Ai dyshohet se organizoi sulm terrorist në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në veri të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pret që misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, t’i largojë barrikadat në veri. Ndërkohë që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës i ka kapacitetet e duhura të veprojë në këtë drejtim.
Thirrje për largimin e barrikadave kanë bërë edhe ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe ajo në Beograd, duke thënë se arrestimi i Pantiqit po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve.
Grupet kriminale serbe të maskuar kanë sulmuar Policinë e Kosovës, gazetarët dhe misionin e BE-së, EULEX.
Si pasojë, një polic i Kosovës është lënduar, për çka ka marrë edhe trajtim mjekësor.