UBT News

​Blinken: Përshkallëzimi i situatës në veri i pengon përpjekjet euroatlantike

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, edhe njëherë u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për uljen e tensioneve në veri. Sipas tij, përshkallëzimi i situatës i pengon përpjekjet në proceset integruese për dy vendet.

Diplomati amerikan ka folur pas takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Oslo të Norvegjisë.

“Në diskutimin e sotëm, shumë aleatë gjithashtu shprehën shqetësimin për rritjen e tensioneve në veri të Kosovës dhe dënuan ashpër sulmet e fundit ndaj trupave të KFOR-it. Ne kemi mendjen sot tek kolegët tanë italianë dhe hungarezë që janë plagosur në atë sulm. Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës dhe asaj së Serbisë që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të de-përshkallëzuar tensionet dhe të ripërtërijnë përpjekjet për zbatimin e marrëveshjeve të normalizimit të udhëhequra nga BE-ja. Ne mbështesim procesin e integrimit euroatlantik për Kosovën dhe Serbinë, por përshkallëzimi aktual më shumë i pengon sesa i ndihmon përpjekjet për të ecur në atë drejtim”, ka thënë Blinken.

Sipas tij, palët duhet të ndalojnë angazhimin në veprime të njëanshme dhe t’i kthehen dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

“Shtetet e Bashkuara tashmë kanë forca atje si pjesë e misionit ekzistues, ne kemi disa qindra forca si pjesë e misionit të KFOR-it. Rritja e numrit që u njoftua nga NATO, nuk mendoj se do të përfshijë forca shtesë amerikane, por siç thashë tashmë ka forca amerikane si pjesë e misionit të KFOR-it, tani do ketë rreth shtatëqind trupa shtesë, të cilët do iu shtohen rreth 4000 trupave që mendoj se janë tashmë atje. Por sërish, gjëja më e rëndësishme është që vetë palët të bëjnë de-përshkallëzimin. Të ndalojnë angazhimin në veprime të njëanshme dhe t’i rikthehen dialogut të udhëhequr nga BE. Kjo është rruga përpara. Kjo është ajo që ne po u bëjmë thirrje fuqishëm të dyja palëve të bëjnë. Kjo është pritshmëria jonë, dhe do të shohim në ditët dhe javët në vijim”, ka theksuar Blinken.

Të mërkurën është bërë e ditur se NATO ka dislokuar 700 forca shtesë në Kosovë, si përgjigje ndaj trazirave të fundit në veri të Kosovës, ku protestuesit lanë të lënduar 30 ushtarë të KFOR-it.

NATO ka bërë të ditur se ka marrë vendim për angazhim të Forcës Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor, e cila ka qenë në gjendje gatishmërie për angazhim.

Protestuesit serb po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.

Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Pesë policë kanë mbetur të lënduar në ditën e parë të protestave ndërsa të mërkurën institucioni i sigurisë ka bërë të ditur edhe për një zyrtar tjetër policor ka marrë lëndime nga sulmet e protestuesve në veri të vendit.

Exit mobile version