Në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti është mbajtur një dëgjim publik për dy projektligje, atë për markat tregtare dhe për mbrojtjen e sekreteve tregtare, për çka pati sugjerime e vërejtje rreth këtyre projektligjeve nga përfaqësuesit e bizneseve dhe të avokatisë.
Përfaqësuesit e bizneseve dhe të avokatisë me këtë rast kërkuan ndryshimin e disa neneve që mundësojnë regjistrimin e markave tregtare.
Pikërisht për këto kritika, kryesuesi i Grupit Punues, deputeti Driton Hyseni ka kërkuar nga bizneset dhe palët e interesit që të dorëzojnë komentet e tyre, për t’i paraqitur pastaj ky komision në formë të amendamenteve.
“Si grup punues kemi për detyrë që t’i shqyrtojmë këto dy projektligje nen për nen, dhe t’i paraqesim Komisionit pastaj amendamentet të cilat vijnë qoftë nga ana e juaj, apo nga palët tjera të interesit që mund të shfaqin interesim. Sipas mendimit të juaj do të kërkoj që ju të na tregoni se a janë përcaktuar saktë kushtet dhe procedurat për regjistrimin e markave tregtare. A mbrohen të drejtat që rrjedhin nga regjistrimi dhe zbatimi i këtyre të drejtave? A mendoni se me miratimin e këtij ligji plotësohen nevojat institucionale në drejtim të përmbushjes së nevojave që ka shoqëria jonë? A sigurohet mbrojtja e konsumatorit si dhe zhvillimi i sferës së pronësisë industriale të Kosovës”, theksoi Hyseni.
Kryesuesja e Komitetit për çështje ligjore në Odën Ekonomike Amerikane, Kujtesa Nezaj Shehu pati vërejtje për nenin 6 dhe 7, përveç këtyre, ajo ka kritikuar Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për mospërfshirje në draft ligj edhe komentet e shoqatave ndërkombëtare për markat tregtare “IMPA”.
“Kur shikova sot draft ligjin pashë që disa komente që i ka dërguar shoqata ndërkombëtare për markat tregtare “IMPA”, e cila ka një reputacion, ka dërguar disa komente për këtë draft ligj, dhe pash që nuk janë marrë për bazë asnjë prej atyre komenteve. Njëkohësisht përveç këtyre komenteve që i ka dorëzuar ‘IMPA’, unë i kam edhe disa komente, e para ka të bëjë me nenin 6 dhe 7 që janë shkaqet absolute dhe shkaqet relative për refuzim të një regjistrimi dhe ka të bëjë me atë kur mund të refuzohen aplikimet që paraqiten me keqbesim”, tha ajo.
Po ashtu, edhe avokatja Zanita Leka nga Oda e Avokatëve të Kosovës, ka kërkuar nga Grupi Punues plotësimin e nenit 15 të Projektligjit për markat tregtare.
“Në nenin 15, ku ceket përjashtimi i një deklarate pavlefshmërie për shkak të tolerimit. Këtu është cekur decitivisht, kur pronari i markës të mëhershme ka toleruar pa kundërshtim për një periudhë 5-vjeçare, konsideroj se vetëm si heshtje ka mbetur kjo, por ndoshta është më mirë të shtohet si nen ose si dispozitë në po këtë nen, ose me përfshi në këtë dispozitë që atij ose asaj t’i merret një pëlqim me shkrim brenda kësaj periudhe në mënyrë që më vonë të mos dalin probleme me gjykata”, thekson Leka.
Ndërsa, Isa Dukaj, nga Agjencia për Pronësi Industriale, tha se ndër problemet me të cilat ballafaqohet Kosova, është fakti se Kosova nuk është pjesë e Kombeve të Bashkuara. Dhe kjo sipas tij, i pengon edhe bizneset e huaja të regjistrohen në Kosovë.
Komuniteti i bizneseve, dhe çdo palë tjetër e interesit mund t’i dorëzojnë komentet e tyre në formë të shkruar adresën elektronike në Komisionin për Ekonomi deri më 11 mars.