UBT News

​Bislimi: Synojmë një mjedis më të mirë të të bërit biznes në Kosovë

Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi në takimin ku është bërë prezantimi i qasjes së Qeverisë së Kosovës për zvogëlimin e barrës administrative për qytetarë dhe biznese, ka thënë se reforma e administratës publike e ka një rol të rëndësishëm në qeverisjen Kurti 2 për qasje më të mirë në mjedisin e të bërit biznes dhe lehtësimin e barrës administrative për qytetarë.

Ai tha se fokusi i kësaj qeverie është për të pasur një mjedis më të mirë të të bërit biznes në Kosovë.

“Qëllimi i këtij takimi është që nevojave të komunitet të biznesit dhe qytetarëve, ne si Qeveri t’i përgjigjemi në mënyrën më të mirë”, tha ai.

Bislimi foli edhe për strategjinë kombëtare të zhvillimit, dhe për strategjinë e re të reformës, administratës për të vendosur qartësi dhe llogaridhënie.

Ndërsa, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, dhe Administratës Publike, Bardhyl Dobra theksoi se reforma e administratës publike është më se e domosdoshme, dhe shtoi se si MBAP kanë filluar të ndërmarrin një sërë reformash në këtë fushë në aspektin legjislativ.

Ai tha se një prej këtyre reformash në aspektin ligjor është ligji për procedurat e përgjithshme për lehtësimin e jetës së të gjithë qytetarëve. Derisa shtoi se përmirësimi i jetës së qytetarëve dhe shërbimeve do të bëhet përmes digjitalizimit.

Pas këtyre dy fjalimeve nga zëvendëskryeministri Bislimi dhe zëvendësministri Dobra, tryeza ku po marrin pjesë edhe komuniteti i biznesit është mbajtur e mbyllur për media.

Exit mobile version