Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka komentuar deklaratën e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili tha “kryeministër, lidhe zëvendëskryeministrin”. Ai tha se e kupton mirë këtë fundit, por që nuk mund ta ndihmojë dot.
Në seancën e jashtëzakonshme ku po mbahet debat parlamentar për rritjen e çmimeve, ai madje ka ironizuar me kryetarin Lumir Abixhiku, ku tregoi se çfarë e kishte pyetur kryeministrin Albin Kurti gjatë kohës sa ai po fliste.
“Ajo që ndodhi ishte që kur deputeti po shpjegonte se si me saktësi ka parashikuar dhe dijë të gjitha zhvillimet, unë i impresionuar e pyeta kryeministrin se mos vallë e di edhe kohën kur do të përfundojë lufta në Ukrainë e nuk po na tregon”, ka deklaruar Bislimi.
Më tej ka komentuar edhe deklaratën e tij, kur tha “kryeministër, lidhe zëvendëskryeministrin”.
“Sa i përket komentit të tij për lidhje ose zgjidhje, duke e njohur mirë deputetin e nderuar, z. Abdixhiku, dua vetëm të konkludoj se e kuptoj shumë mirë, se bashkëndiej me të, por nuk e ndihmoj dot”, ka thënë ai.
Ai ka dhënë përgjigjen edhe për kërkesën e opozitës për uljen e akcizës në derivate.
“Ulja e tatimeve apo akcizave në këtë situatë do të përbënte një politikë ekstremisht të djathtë, meqë përfitimi shkon dukshëm te ata që më së paku kanë nevojë për impulse fiskale, e që janë shtresa me të ardhura mbi mesatare”, ka deklaruar Bislimi.
Derisa ka folur për rritjen e çmimeve të konsumit, Besnik Bislimi tha se për qeverinë është e rëndësishme që të mos përhapet paniku te qytetarët.