Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se homologu i tij rus, Vladimir Putin, bëri “gabim të madh” kur një ditë më parë njoftoi se Rusia po pezullonte pjesëmarrjen në traktatin e armëve bërthamore New START.
Biden i bëri këto komente për gazetarët teksa arriti në pallatin presidencial në Varshavë, ku do të marrë pjesë në samitin e nëntë shteteve të Evropës Lindore.
Ky samit, ku marrin pjesë disa shtete të NATO-s, po zhvillohet në ditën e dytë të vizitës së Bidenit në Poloni.
I ashtuquajturi Grupi i nëntë i Bukureshtit përfaqëson vendet që përbëjnë krahun lindor të NATO-s. Aty bëjnë pjesë: Polonia, Rumania, Bullgaria, Hungaria, Çekia, Sllovakia, Estonia, Letonia dhe Lituania.
Vizita e Bidenit në Poloni është pjesë e një serie të konsultimeve me aleatët për t’u përgatitur për një fazë më të ndërlikuar të pushtimit rus të Ukrainës, që ka nisur pothuajse një vit më parë./REL