Presidenti amerikan Joe Biden tha se të paktën 14 qytetarë amerikanë u vranë në sulmet në Izrael. Ai shtoi se në mesin e pengjeve ishte edhe një person që i mbijetoi Holokaustit.
“Gratë përdhunoheshin dhe parakalonin si të ishin trofe”, shtoi presidenti amerikan.
Në një fjalim drejtuar kombit sonte, Biden tha se Izraeli ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai shtoi se SHBA-ja do të sigurohet që Izraeli të ketë atë që i nevojitet për të “kujdesur për qytetarët e tij, për t’u mbrojtur ose për t’iu përgjigjur një sulmi të Hamasit”.
“Hamasi nuk mbështet të drejtën e popullit palestinez për dinjitet dhe vetëvendosje”, tha Biden, duke shtuar se grupi nuk ofron asgjë tjetër veçse “terror dhe gjakderdhje, pavarësisht se kush e paguan çmimin”.
Biden tha se SHBA ka forcuar fuqinë e saj ushtarake në rajon. “Unë e drejtova ekipin tim të ndajë inteligjencën dhe të vendosë ekspertë shtesë nga e gjithë qeveria amerikane për t’u konsultuar dhe këshilluar” mbi përpjekjet e Izraelit për të kthyer pengjet.
“Le të mos ketë asnjë dyshim, SHBA-ja ia ruan shpinën Izraelit. Ne do të sigurohemi që shteti hebre dhe demokratik i Izraelit të mund të mbrohet sot, nesër, siç kemi bërë gjithmonë”, tha ai.
Presidenti amerikan e quajti sulmin e Hamasit ndaj Izraelit një akt të së keqes së pastër. Ai e quajti grupin radikal islamik “të etur për gjak, duke thënë se këto ngjarje të kujtojnë krimet më të këqija të kryera nga ISIL (Shteti Islamik) dhe dënoi Hamasin për vrasjen e më shumë se 1000 civilëve.
“Hamasi nuk qëndron në mbrojtje të popullit palestinez. Ata përdorën palestinezët si mburoja njerëzore. Për popullin hebre, për fat të keq, kjo nuk është e re. Këto ngjarje nxjerrin në sipërfaqe kujtime të dhimbshme të antisemitizmit nga shekulli i kaluar”, shtoi ai.
Biden më pas përmendi disa nga historitë e tmerrshme që dolën nga Rripi i Gazës këto ditë.
“Prindërit e masakruar duke përdorur trupat e tyre për të mbrojtur fëmijët e tyre, raportime për foshnja të vrarë, gra të dhunuara të shfaqura si trofe…”
“Ne qëndrojmë me Izraelin, Amerika qëndron me Izraelin”, tha Biden në një fjalim të stuhishëm. “Izraeli do të ketë gjithçka që i nevojitet për t’iu përgjigjur një sulmi të Hamasit”, shtoi ai.