UBT News

​Biden do të emërojë diplomatin David J. Kostelancik për postin e ambasadorit të Shqipërisë

Presidenti amerikan, Joe Biden njoftoi të hënën se do të emërojë diplomatin e karrierës David J. Kostelancik, për postin e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Kostelancik ka shërbyer në ambasadën amerikane në Shqipëri në fillim të viteve ’90-ta në zyrën politike.

David J. Kostelancik, shërben aktualisht si Këshilltar për Politikën e Jashtme i Shefit të Shtatmadhorisë amerikane, Gjeneral Mark Milley. Ai ka shërbyer më herët si zëvendës Shef i Misionit dhe për dy vjet, si i Ngarkuar me Punë i përkohshëm në Ambasadën e SHBA-së në Budapest të Hungarisë.

Ai ka mbajtur gjithashtu pozicionet e Drejtorit të Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore Qendrore dhe Drejtorit të Zyrës për Çështjet Ruse, në Byronë për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë si dhe të Drejtorit të Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare për Çështjet e Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit.

Kostelancik ka shërbyer dy herë në Ambasadën amerikane në Moskë.

Ai ka shërbyer edhe në misionet e SHBA-së në OSBE dhe NATO. Ai ka shërbyer gjithashtu edhe në Ankara të Turqisë.

Diplomati Kostelancik, me origjinë nga shteti i Ilinoit, është diplomuar në Universitetin Northwestern të këtij shteti. Ai ka gjithashtu dy diploma master nga Kolegji Kombëtar i Luftës, dhe Universiteti i Miçiganit. Ai flet rusisht, hungarisht, shqip dhe turqisht.

Nëse kandidatura e tij miratohet nga Senati, diplomati Kostelancik do të zëvendësojë ambasadoren aktuale amerikane në Shqipëri, Yuri Kim.

Exit mobile version