Kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha ka treguar për shqetësimin e testimit për rekrutimin e policëve. Këtë shqetësim ai e ka kaluar tek Qeveria e Kosovës, duke theksuar se ka pasur ankesa të shumta që ky testim ka qenë i padrejtë.
Në një konferencë për media Berisha tregon për numrin e kandidatëve që kanë kaluar në testim dhe ankesat e shumta që i kanë pasur këta të fundit.
“I janë nënshtruar testit 11 mijë e 292 kandidatë, nga ta 35 kandidatë kanë kaluar. 1.2 domethënë ata që kanë kaluar testin, numri i tyre ka qenë shumë i ulët. Ankesat kanë qenë se testimi apo pyetjet kanë qenë të një niveli tjetër dhe dihet që nuk është qëllimi i testeve që të bien të gjithë kandidatët, por që të ketë një numër më të madh që e kalojnë. Shqetësim tjetër është bërë një rënie e atyre që pretendojnë me apliku për Policinë e Kosovës. Ankesë tjetër ka qenë se ka ra sistemi disa herë, sistemi kompjuterik i digjitalizuar i pyetjeve, pastaj kandidatët kanë pritur prej 4,5,6,7 deri në 9 orë për të hyrë që të testohen”, deklaroi Berisha.
Berisha beson që ky testim ka qenë i padrejtë dhe se shqetësimin që e ka lidhur me këtë e drejton në Qeverinë e Kosovës.
“Këtë shqetësim e kaloj te Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme ligjërisht nuk bënë me u ulë kriteri sepse dështon krejt procesi[…]Mirëpo kjo fazë ndoshta duhet me kaluar kështu edhe me bë një ri testim apo një ri-rekrutim menjëherë të kandidatëve të tjerë në mënyrë që me u plotësua kriteret sepse edhe numri është në rreizk mos me u plotësu. Ky është vetëm testimi i parë do vijnë edhe testime tjera pastaj numri do zbritet edhe më tutje…Ankesat kanë ardhur edhe tek unë edhe në parti, kanë ardh edhe në komision kanë shkuar tek Avokati i Popullit kanë qenë kërkesa në çdo formë që kanë mundur dhe besoj që ka qenë i padrejtë me shumë probleme ndoshta edhe ka dështuar ky proces”, tha ai.
Berisha i pyetur për rritjen e naftës, thotë se këto rritjet e fundit janë shqetësim për të.