UBT News

​Berisha: Rama është armik i hapur i Kosovës, i turpshëm turi i tij

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka quajtur sot të turpshëm turin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Ai ka deklaruar se Rama është armik i hapur i Kosovës dhe se agjenda e tij ndaj Kosovës ka nisur në javën e parë kur ai ka marrë pozitën.

Kryetari i PD-së ka thënë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është armik i deklaruar i Kosovës, sipas tij, me një agjendë të pastër, të qartë serbe ndaj Kosovës.

“Turi i Ramës është një tur i turpshëm, turi i një njeriu, i cili është i aftë të bëjë gjithçka për të shpëtuar lëkurën e tij. Edi Rama është një armik i hapur, i deklaruar i Kosovës me një agjendë të pastër, të qartë serbe ndaj Kosovës. Agjenda e Edi Ramës kundër Kosovës nisi javën e parë të ardhjes në pushtet, kur akoma pa bërë betimin si kryeministër i vendit, vrapo në Kosovë dhe zbrazi parlamentin për shkak të qëndrimit fyes ndaj arkitektit të Kosovës së pavarur, Ibrahim Rugovës, detyroi deputetet e LDK të braktisnin parlamentin. Më vonë, Edi Rama riktheu fuqishëm projektin serb të shpërbërjes së Kosovës, ndryshimit të kufijve, de-facto ndarjes së Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë. Pasi dështoi me këtë projekt, Edi Rama u bë protagonist i projektit tjetër të Aleksandër Vuçiç, me të cilin ai shpalli nga Tirana, luftën e ftohtë ndaj Prishtinës. Kalonte nga samiti në samit duke anatemuar Procesin e Berlinit dhe reklamuar procesin e Vuçiçit. Shkon tani në një tur për Procesin e Berlinit, por shkon në një tur më qesharak se kurrë”, ka thënë ai.

Kreu i PD-së ka thënë se Rama ka vendosur i pari sanksione ndaj Kosovës.

Ai e ka akuzuar kryeministrin Rama se është ndërmjetës i Vuçiqit.

“Ka hequr qyrkun e Ballkanit të Hapur dhe thotë se po reklamon Procesin e Berlinit, në një kohë kur ka dëshmuar si njësoj Vuçiçi se është i aftë të shkelmojë pavarësinë e Kosovës. Edi Rama vendosi i pari sanksione ndaj Kosovës, kërcënoi në mënyrë primitive se Kosova do kthehet në epokën e bronzit, foli për Donbase dhe Donjetcke dhe për skenarë që ia servirte Vuçiçi. Kosova ia preu biletën si ndërmjetës, nuk të pranojmë si ndërmjetës dhe kjo është në meritën e tyre. Edi Rama është ndërmjetës i Vuçiqit, nuk ka asnjë tagër tjetër. Pardje në Kosovë ishin kryeministrat e Holandës dhe Luksemburgut. Po çfarë ka Edi Rama për të thënë për BE-në përveç marrëzive të tij dhe hallit të McGonigalit? Këto i ka se e pret në bankën e akuzës McGonigali, jo vetëm për akuzën për korrupsion, por edhe për akuza më të tmerrshme të lidhura me Kremlinin dhe Rusinë”, ka shtuar ai.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka vizituar sot Maqedoninë e Veriut. Rama do të vizitojë sot edhe Kosovën, me rastin e nisjes së turit të tij ballkanik në kuadër të përgatitjeve për Procesin e Berlinit. Në Prishtinë, ai pritet të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin, Glauk Konjufca, derisa ende nuk është konfirmuar se a do të takohet me kryeministrin Albin Kurti.Pas Kosovës, kryeministri shqiptar, Edi Rama do të udhëtojë drejt Bosnje e Hercegovinës, pastaj në Mal të Zi, ndërsa do ta mbyllë turin e tij në Serbi.

Exit mobile version