Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Fushë Kosovës, Burim Berisha ka premtuar se në 10 vitet e ardhshme kjo komunë do të jetë në mesin e pesë komunave më të zhvilluara. Në hapjen e fushatës në Bardh të Madh, Berisha premtoi se në mandatin e ardhshëm do të investojë në rini, kulturë e sport.
Para simpatizantëve të tij, Berisha që njëherësh është edhe kryetar, tha se nuk do të ndalet së punuari për qytetarët e Fushë Kosovës, qytet të cilin tha se synon ta shndërrojë në lule të rrafshit të Kosovës.
Duke folur për punën e mëparshme në krye të këtij qyteti, Berisha tha se ka bërë krejt çka ka mundur.
Berisha tha po ashtu se kjo komunë nën udhëheqjen e tij është bërë vend i dëshirueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Këtë herë do të jetë gjithçka në perfeksion. Fushë Kosova po transformohet për çdo ditë, po rregullohet për çdo ditë, po bëhet gjithnjë e më e dëshirueshme për shumë njerëz, po bëhet gjithnjë e më e dëshirueshme për intelektualë, për sportistë, për institucionalistë, për te gjitha ngjyrat politike, fetare dhe kombëtare, dhe do ta vazhdojmë këtë deri ta bëjmë në mesin e pesë qyteteve më të mëdha në Kosovë, dhe këtë iu garantojmë. Për 10 vite, do të jetë qyteti në mesin e 5 qyteteve më të zhvilluara në Kosovë dhe do të jetë komuna më e disiplinuar në aspektin e zhvillimit e në aspektin kulturor. Në këto katër vite, do t’ia japim vulën e qytetarisë Fushë Kosovës, do t’ia japim vulën e kulturës”, tha ai.
I bindur në fitore, Berisha theksoi se në katër vitet e ardhshme investimet e komunës do të dedikohen për rininë, kulturën dhe sportin.
“Do të kemi investime të jashtëzakonshme në kulturë, sport dhe rini, të tjerat veç ecin rrugës të vet, nuk ka që i ndal më. Nuk mundet me i ndalë askush. Nuk munden me i ndalë as humoristët, i keni parë humor kah bëjnë nga pak, humoristët e kanë vendin në teatrin e kukullave, nuk e kanë vendin në politikë. Keni parë edhe plot gënjeshtarë, ata do të kenë vendin në koshin e mbeturinave”, tha ai.
Në hapjen e fushatës në Fushë Kosovë i pranishëm ishte edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili i dha mbështetjen e tij të plotë Berishës. Ai tha se Fushë Kosova është burim i fitoreve të LDK-së.
“Burim, është kënaqësi të jemi këtu, në vendin ku burojnë fitoret e LDK-së, në krye të të cilave je ti bashkë me bashkëpunëtorë, me të cilët na jepni shpresë, vullnet e energji që këto fitore t’i shpërndajmë gjithandej nëpër Kosovë. 14 nëntori do të jetë festë e qytetarëve të komunës tuaj, ndërsa për Burimin është festë shërbimi i përhershëm ndaj jush qytetarë të dashur. Burimi është vet Fushë Kosova, zhvillimi i Fushë Kosovës vazhdon vet me Burimin. Ai e ka shndërruar këtë komunë në burim të zhvillimit ekonomik, në burim të mirëqenies… E me të drejtë e vizion të qartë synon që ta vazhdojë këtë transformim edhe në katër vitet e ardhshme… Ju jeni para një zgjidhjeje të lehtë, ku para vetes keni një storie të jashtëzakonshme suksesi që i ka lakmi e gjithë Kosova, e përballë një të panjohura që nuk ka asnjë fije shpresë që të konkurrojë me suksesin tuaj”, tha Abdixhiku.
Duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve të Fushë Kosovës për Burim Berishën, Abdixhiku tha se transformimi i kësaj komune nga një fshat në një qytet të zhvilluar është meritë e këtij të fundit.
Më 14 nëntor në balotazh, Burim Berisha i LDK-së, do të përballet me Enver Bajçincën e LVV-së