UBT News

​Berisha: Ne e kemi logon, do mbrojmë vendimin e gjykatës. Rama po pengon regjistrimin e vendimit

Kreu i PD-së, Sali Berisha ka deklaruar se partia e ka logon e saj për zgjedhjet e 14 majit e sipas tij edhe Gjykata e ka njohur një vendim të tillë, por ka qenë Edi Rama që nuk ka lejuar regjistrimin e vendimit të Gjykatës.

“Ne nuk e kemi logon. Zyrtarisht e kemi logon. Absolutisht në çdo ligj të botës, e kemi logon. Sepse ka një vendim gjykate që e njeh. I gjithë problemi është këtu, Edi Rama nuk lejon regjistrimin e vendimit të gjykatës. Kjo nuk do të thotë se nuk kemi logo, ne e kemi logon. Gjykata ka vendosur. Vendimi i gjykatës për një parti është një kontroll i dokumentacionit dhe i parimeve nëse përputhet apo jo me Kushtetutën. Kaq. Nuk ka punë tjetër. Ke ti objeksione që këto janë false, në çdo vend të botës t’i hap proces tjetër. Por palë në këtë proces nuk mund të bëhesh kurrë. Sepse nëse vendosim këtë praktikë, ne rrëzojmë çdo vendim gjyqësor. Janë disa parime të paprekshme. Për atë do merremi me Edi Ramën, skemi punë me gjykatën. Këtu është gjithçka politike dhe ne do i japim zgjidhjen që meriton. Zgjidhja do jetë revolucioni. Pa diskutim. Nuk ka asgjë këtu, gjykatësi ka dhënë vendimin. Ne do i dalim zot vendimit, ligjit”, tha ai.

Po ashtu në fjalën e tij, Berisha u ndaj edhe tek hapja e Partisë, ku theksoi se në listat e këshillave bashkiakë do të ketë nga shoqëria civile. Njerëz, siç tha ai, që kanë mbrojtur dhe mbrojnë kauza të drejta qytetare. Dhe në kontekst, Berisha i inkurajoi ata që të paraqesin kandidaturat e tyre për parlamentarë të qeverisjes vendore-lokale.

“Opozita tani shpall fushatën për këshilltarët. Tani ne hymë në fazën e përzgjedhjes dhe të këshilltarëve. Ajo që mund t’ju them unë juve me siguri është risia e këtyre këshillave se do të ketë një përqindje të caktuar nga shoqëria civile. Hapja dhe vetëm hapja, është konstantja e PD. Ndaj edhe parlamentarë të qytetarëve nuk do të jenë vetëm partiakët, anëtarët e nderuar të PD, por do jenë simpantizantët, do të jenë edhe shoqëria civile. Njerëz që kanë mbrojtur dhe mbrojnë kauza të drejta qytetare. I inkurajoj ata në të gjithë Shqipërinë që të paraqesin kandidaturat e tyre për parlamentarë të qeverisjes vendore-lokale. Iu bëj thirrje strukturave të PD, në propozimet e tyre në lidhje me statutin, të përfshijnë edhe personalitete të shquara nga shoqëria civile, burra, gra, djem, vajza që kanë bërë dhe bëjnë avokatinë e qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Berisha.

Exit mobile version