UBT News

​Berisha dhe mbështetësit shkojnë në PD

Ish-lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha dy ditë pas Kuvendit të 11 dhjetorit ka mbërritur në selinë blu për të zhvilluar një mbledhje bashkë me 29 anëtarët e Komisionit të Rithemelimit.

Ish-kryeministri theksoi se sot kanë ardhur për të sjellë vullnetin e shumicës së demokratëve shqiptarë.

“Siç e shihni janë anëtarët e Komisionit të Përkohshëm të PD të zgjedhur në Kuvendin e fundit, të cilët kanë ardhur të vendosen në selinë e demokratëve dhe të diskutojnë për problemet e rëndësishme të të ardhmes. Tani ne po ngjitemi sipër”, tha Berisha.

Ai deklaroi se me zyrën e Bashës nuk ka askush punë, por deklaroi se “sot vijmë këtu për të bërë një mbledhje. Deputeti Basha deri më datën 18 duhet të reflektojë për vendimin e Kuvendit më të jashtëzakonshëm në historinë e kombit”.

Pas futjes në ambientet e shtëpisë së PD-së, nuk munguan as akuzat për Bashën. Berisha e akuzoi atë për “marrjen e karrigeve”.

“Çmenduria e Bashës, ka marrë të gjitha karriget”, u shpreh ish-kryeministri i Shqipërisë.

Ky i fundit theksoi se vendimet që do të merren pas mbledhjes dhe do të bëhen publike edhe për mediat.

Kujtojmë se aktualisht në katin e dytë të ndërtesës së PD-së po zhvillohen dy mbledhje paralele. Në mbledhjen e Bashës të pranishëm janë Gazmend Bardhi, Alfred Rushaj, Jonila Godole, Jemin Gjana dhe Fitim Zekthi. Nga ana tjetër, Berisha dhe 28 anëtarët e tjerë të Komisionit të Rithemelimit janë vendosur në sallën e mbledhjes së grupit parlamentar.

Exit mobile version