UBT News

​Begaj: Sovraniteti i Kosovës s’mund të vihet në pikëpyetje nga askush

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, deklaroi se askush nuk mund të verë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës ndërsa kërkoi guxim nga liderët e Kosovës dhe Serbisë për një marrëveshje historike ashtu siç kanë bërë ata të Maqedonisë së Veriut dhe të Greqisë.

Gjatë fjalës së tij në panelin e Forumit të Prespës, Begaj deklaroi se Marrëveshja e Ohrit ishte një moment optimizmi, por që po shndërrohet në zhgënjim.

“Dakordësia e fundit publike e arritur në Ohër, mes Kosovës dhe Serbisë, ishte një moment tjetër optimizmi, por që shumë shpejt duket sikur po shndërrohet në një moment zhgënjimi. Nuk dua të hyj këtu në detaje, pasi partnerët tanë evropianë dhe amerikanë po japin një kontribut të jashtëzakonshëm që palët të arrijnë një kompromis për normalizimin e marrëdhënieve e njohjen reciproke”, deklaroi Begaj.

Begaj tha se Kosova dhe Serbia duhet të ndjekin shembullin e Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut në mënyrë që të çojnë përpara procesin e pajtimit dhe të normalizimit të marrëdhënieve.

“Askush nuk mund të vë sot në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Kosova është një realitet politik i pakthyeshëm. Por vlerësoj, se është koha e duhur që liderët e këtyre dy vendeve të ndërmarrin përgjegjësitë historike, që ashtu si ata të Maqedonisë së Veriut e Greqisë pesë vjet më parë, të çojnë përpara procesin e pajtimit, si dhe normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen mes tyre”, vijoi Begaj.

Begaj u shpreh se janë krijuar shumë organizata e iniciativa rajonale në funksion të bashkëpunimit mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, por shtoi se duket se jemi larg asaj që ne dëshirojmë e që është një rajon në paqe, një rajon të sigurt e një rajon të zhvilluar.

Exit mobile version