Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë përmes Iniciativës për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK) ka ndarë garantet për përfituesit e komunës së Mitrovicës Jugore në kuadër të projektit “Mbështetja e punësimit të të rinjve dhe grave në zonat rurale përmes zhvillimit të bujqësisë
Pajisjet bujqësore që iu dhuruan të mërkurën përfituesve të vitit të parë të këtij projekti po vlerësohet se do të kontribuojnë në ndihmën e të rinjve, grave dhe grupeve në pozitë të pafavorshme në zonat rurale për të krijuar biznese të reja dhe kushte për t’u vetë-punësuar.
Shefi i Seksionit të Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Luigi Brusa thotë se projekti luan rol të rëndësishëm në zbutjen e situatës ekonomike dhe kontributin e angazhimit e grave dhe të rinjve në komunën e Mitrovicës Jugore dhe Shtime. Ai u shpreh i lumtur me pjesëmarrjen e të rinjve dhe grave prej zonave rurale në aktivitete të këtij lloji ku gjenerohet punësim dhe të ardhurat.
“Jam i lumtur të shoh sidomos pjesëmarrjen e grave dhe të rinjve në aktivitetet ku gjenerohet punësim dhe të ardhura. Siç e dini, sipas statistikave 14.1 përqind të grave janë te punësuara në krahasim me burrat që shifra është 42.8 përqind, sipas anketës së ASK-së për tregun e punës. Papunësia më e madhe është në grupmoshat 15-24 vjet. Dhënia e trajnimeve për vetëpunësim dhe dhënia e pajisjeve për ata që krijojnë dhe zhvillojnë biznesin e tyre është një ndihmesë e madhe për grupin e targetuar[…] Pajisjet që janë blerë përmes financimit nga Zyra e BE-së në Kosovë do të përmirësojnë produktivitetin dhe efiçiencën në fermat apo biznesin tuaj. Çka mbetet tek përfituesit është që të jenë produktiv, të mbjellin, të rrisin dhe të korrin në kohën e duhur me pajisjet e duhura që kanë marrë në kohën e duhur. Pajisjet që janë dhuruar ndihmojnë produktivitetin në fermë apo në biznes. Mekanizmi që keni marrë ju ndihmon që të dilni nga mbijetesa përmes bujqësisë, në bujqësi që është e bazuar në treg, ku ju edhe mund të shisni dhe t’i rrisni të ardhurat e juaja. Kjo i mbanë të rinjtë që të rrijnë në zonat rurale ku janë e të mos kërkojnë mundësi tjera në zona urbane”, tha ai.
Edhe drejtori ekzekutiv i IADK-së, Zenel Bunjaku tha se përmes këtyre pajisjeve do të rritet standardi i produkteve dhe si rrjedhojë prodhuesit vendorë, përfitues të grantit, do të mund t’i eksportojnë jashtë vendit.
“Vlera totale e këtij projekti është 374 mijë e 669 euro, prej të cilave nga BE kemi marrë grant 294 mijë e 603 euro. Siç edhe e dini, pjesa më e madhe e këtij projekti ka të bëjë me gratë dhe të rinjtë, pasi mendojmë se kjo kategori është e marxhinalizuar, sidomos ata që jetojnë në zonat rurale. Kjo është edhe arsyeja që sëbashku me BE, IADK-në dhe komunat kemi marrë këtë grant për me ju ndihmu këtyre dy grupeve të targetuara, me qëllim që me iu ndihmu njerëzve me jetu mirë në zona të thella. Me këtë projekt kemi me i mbështet 90 punëkërkues”, tha ai.
Kryetari i komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri ka shprehur mirënjohje për ndihmën që Zyra e Bashkimit Evropian ka dhënë për komunën që ai e drejton.
“Përkrahja e BE-së ka qenë çdo herë me kryetarin e juaj, në çfarëdo forme[…]Tani jemi duke bërë punë të mira për të zhvilluar vendin dhe ky qytet ka filluar të ringjallet përshkak se ka pasur shumë probleme, përshkak se pasiguria që ka qenë më parë nuk iu ka dhënë hapësirë investitorëve të investojnë në Mitrovicë. Mundem t’i falenderoj përfaqësuesit e BE-së dhe të ambasadave të ndryshme në Kosovë që na kanë ndihmuar dhe bashkëpunimi jonë ka qenë i jashtëzakonshëm për t’ia dalë të jemi këtu ku jemi”, tha Bahtiri.
Mirënjohje për pajisjet bujqësore shprehën përfituesit e tyre, të cilët patën rastin të takohen dhe të bisedojnë me shefin e Seksionit të Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së, Luigi Brusa.
Nëna e dy fëmijëve, Adelinë Beka nga fshati Gushovc tha se falë pajisjeve të marra në kuadër të këtij projekti, i është bërë e mundshme që të rrisë shitjen e produkteve që ofron dhe si rrjedhojë të shtojë të ardhurat. Ajo tha se granti i ka lehtësuar shumë punën.
“Jam nënë e 2 fëmijëve dhe në pamundësi me të punuar diku përshkak të orarit të gjatë dhe kujdesit të fëmijëve, më lind ideja të punoj në shtëpi, fillimisht me bakllave. Në fillim kam fillu me bo bakllava për familjarët, pastaj fillun me u rritë kërkesat goxha shumë dhe në pamundësi për mjete, e pash në faqe thirrjen për grante dhe aplikova[…]dhe u bëra një prej përfituesve të grantit. I falënderoj shumë. Kam mbajtur edhe trajnime ku kam marrë njohuri goxha të mira për biznes”, tha ajo.
Projekti dyvjeçar (2020-2022) “Mbështetja e punësimit të të rinjve dhe grave në zonat rurale përmes zhvillimit të bujqësisë” financohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe arrin vlerën prej 374 mijë e 669 euro, prej të cilave 294 mijë e 603 euro janë financuar nga Bashkimi Evropian.
Zona e projektit përfshin komunën e Mitrovicës Jugore dhe komunën e Shtimes, të cilat janë gjithashtu bashkë-aplikuese në projekt.