UBT News

​BE: Korrupsioni është zvogëluar, për investitorë serioz kërkohet edhe furnizim i qëndrueshëm me energji

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë sot se Kosova ka përparësi të shumta dhe potencial për investime të huaja.

Ndërsa, përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës vlerësuan se niveli i korrupsionit është zvogëluar, por nevojitet edhe furnizim i qëndrueshëm me energji elektrike për të pasur investitorë seriozë nga Bashkimi Evropian.

Udhëheqësja e Sektorit të Politikave Ekonomike dhe Integrimit Evropian në Zyrën e BE-së në Kosovë, AnnaCarin Platon tha se shumë investitorë serioz nga shtetet e Bashkimit Evropian së pari bazohen në furnizimin e qëndrueshëm të energjisë, edhe nëse ajo energji vjen nga burimet e ripërtritshme.

Prandaj, ajo tha se diverisifikimi i burimeve të energjisë është i domosdoshëm për të pasur një qëndrueshmëri në të ardhmen.

“Ne dëgjuam këtu edhe bizneset, që korrupsioni është zvogëluar. Po ashtu, ne si BE e vlerësojmë përparimin që është bërë edhe në fushën e legjislacionit në përputhje me atë të BE-së. Qeveria ka komunikuar dhe e përçon një përkushtim ndaj agjendës së Bashkimit Evropian. Sa i përket krizës energjetike, në kohë krize paraqiten edhe mundësi për të reflektuar shteti nga sektori i energjisë. E kuptojmë që tani diversifikimi i burimeve të energjisë është i domosdoshëm për të pasur një qasje të gjelbër, e cila është një zgjidhje dhe një qëndrueshmëri në të ardhmen… Ndërsa, për investimet e huaja, shumë investitorë seriozë nga shtetet e Bashkimit Evropian së pari bazohen në furnizimin e qëndrueshme të energjisë, edhe nëse ajo energji vjen nga burimet e ripërtritshme të energjisë. Po ashtu duhet pasur një ambient të pastër me shërbime”, theksoi ajo.

Në këtë ngjarje u tha se gjatë periudhës janar – shtator 2022 investimet e huaja kanë shënuar vlerën në 566.9 milionë euro, apo krahasuar me vitin e kaluar të periudhës se njëjtë, ka një rritje prej 43.6% të investimeve të huaja.

Pavarësisht sfidave, Kosova ka tërhequr një numër investitorësh të rëndësishëm, përfshirë disa firma ndërkombëtare, megjithëse ka mjaft potencial të pashfrytëzuar.

Në këtë konferencë u tha po ashtu se Kosova ka bërë progres të vazhdueshëm në krijimin e një ekonomie tregu moderne dhe miqësore, duke ofruar mundësi të mëdha investimi, duke ruajtur rritjen ekonomike dhe stabilitetin rajonal.

Sipas Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ekonomia e Kosovës në vitet e fundit ka shënuar një normë pozitive të rritjes ekonomike, përkundër sfidave që paraqesin luhatjet në ekonominë globale, veçanërisht në atë evropiane. Po ashtu, u tha se në këtë aspekt, Kosova ka shënuar një rritje të konsiderueshme të investimeve gjatë vitit 2021, duke arritur vlerën prej 420.7 milionë euro.

Kjo ngjarje ka mbledhur të gjithë akterët relevantë dhe një spektër të gjerë të ndërmarrjeve dhe bizneseve kosovare. Objektivi i përgjithshëm është të nxisë rritjen e investimeve të huaja direkte dhe eksporteve të Kosovës. 

Exit mobile version