UBT News

​BE: Irani të ndalojë shqiptimin dhe ekzekutimin e dënimeve me vdekje

Bashkimi Evropian u bëri thirrje sot autoriteteve të Iranit që të ndalojnë menjëherë shqiptimin dhe ekzekutimin e dënimeve me vdekje ndaj protestuesve, si dhe të anulojnë menjëherë dënimet e fundit me vdekje që janë shqiptuar tashmë në kuadër të protestave në vazhdim dhe të sigurojnë një gjykim i drejtë për të gjithë të paraburgosurit.

Në një deklaratë, BE-ja i bën thirrje Iranit të ndjekë një politikë të qëndrueshme drejt heqjes së dënimit me vdekje.

Ministrat e Jashtëm të BE-së sot mbështetën aspiratën e popullit iranian “për një të ardhme në të cilën të drejtat e tij universale të njeriut dhe liritë themelore të respektohen, mbrohen dhe përmbushen”.

Në këtë kontekst, BE-ja “njeh rolin udhëheqës të grave dhe të rinjve në thirrjen për mbrojtjen e këtyre normave dhe vlerave” dhe dënon fuqishëm “përdorimin e përhapur, brutal dhe joproporcional të forcës nga autoritetet iraniane kundër protestuesve paqësorë, duke përfshirë gratë dhe fëmijë, e cila ka çuar në humbjen e qindra jetëve, që është një shkelje e qartë e parimeve bazë që përmban të drejtën ndërkombëtare”.

BE i bën thirrje Iranit të sigurojë të drejtën për tubim paqësor dhe dënon kufizimet në komunikim, duke përfshirë mbylljen e internetit, dhe i bën thirrje Iranit të sigurojë të drejtën e lirisë së shprehjes.

Takimi i ministrave të BE-së i dërgoi një apel Iranit që të ndalojë “arrestimet arbitrare si një mjet për të heshtur zërat kritikë dhe të lirojë të gjithë ata që janë arrestuar padrejtësisht në lidhje me ushtrimin e të drejtës për tubim paqësor dhe lirinë e shprehjes, duke përfshirë edhe protestuesit e arrestuar së fundmi, si fëmijë, gazetarë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut”.

BE-ja gjithashtu dënon fuqishëm “përdorimin e gjerë të torturës, trajtimin mizor, çnjerëzor dhe degradues të të burgosurve në burgjet iraniane”.

BE i kujton Iranit detyrimet e tij ndërkombëtare sipas Konventave të Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe Konsullore dhe refuzon “praktikën e Iranit të ndalimit arbitrar të shtetasve të huaj, duke përfshirë personat me shtetësi të dyfishtë”, dhe i bën thirrje Iranit t’i japë fund praktikës shqetësuese të “ndalimit të të huajve të pafajshëm”.

Në një deklaratë, BE-ja dënon dhe e konsideron të papranueshme çdo formë të mbështetjes ushtarake iraniane, përfshirë dërgimin e dronëve në Rusi.

BE përsërit gjithashtu vendosmërinë e saj të qartë se Irani nuk duhet të zhvillojë ose të fitojë kurrë armë bërthamore dhe rikujton detyrimet ndërkombëtare të Iranit.

Exit mobile version