UBT News

​BE: Do të trefishojmë urgjentisht ndihmën për Gazën

Komisioni Evropian do të trefishojë urgjentisht ndihmën humanitare për Gazën në më shumë se 75 milionë euro.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka biseduar sot pasdite me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

“Komisioni do të rrisë menjëherë me 50 milionë euro zarfin aktual financiar të ndihmës humanitare të planifikuar për Gazën. Kjo rrit shumën totale të ndihmës në më shumë se 75 milionë euro. Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me OKB-në dhe agjencitë e saj për të siguruar që kjo ndihmë arrin tek ata që kanë nevojë në Rripin e Gazës”, tha von der Leyen.

“Komisioni mbështet të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur kundër Hamasit, në respekt të plotë të ligjit ndërkombëtar humanitar. Kjo është arsyeja pse ne po punojmë shumë për të siguruar mbështetje për civilët e pafajshëm në Gaza”, shtoi ajo.

Komisionari i Komisionit për Menaxhimin e Krizave, slloveni Janez Lenarçiq, tha se Komisioni po bën gjithçka në fuqinë e tij për të ofruar mbështetje humanitare për civilët në Rripin e Gazës.

“Ky trefishim i ndihmës humanitare të BE-së do të ndihmojë në sigurimin e nevojave themelore të civilëve në Gaza. Është thelbësore të sigurohet qasje e sigurt dhe i pakufizuar në ndihma humanitare”, tha Lenarçiq.

Exit mobile version