Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera të përfshira në marrëveshjen ndërkombëtare bërthamore me Iranin janë aktualisht duke vlerësuar përgjigjen e Iranit ndaj një propozimi kompromisi, tha sot Nabila Massrali, zëdhënëse e shefit të politikës së jashtme të BE-së.
“Për momentin ne po e studiojmë atë dhe po konsultohemi me pjesëmarrësit e tjerë dhe ShBA-në”, u tha Massrali gazetarëve në Bruksel.
Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit që synonte të parandalonte Teheranin nga ndërtimi i armëve bërthamore hyri në fuqi për herë të parë në vitin 2015. Por në vitin 2018, ShBA vendosi të largohej në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja.
Në një turne diplomatik, përfaqësues nga SHBA, Irani si dhe vende të tjera, u përpoqën të ringjallnin marrëveshjen muajt e fundit.
Një marrëveshje e mundshme do të rezultonte në heqjen e sanksioneve të ShBA-së dhe rivendosjen e kufizimeve në programin bërthamor të Teheranit të ngjashëm me marrëveshjen e 2015-ës.
“Ajo që mund të negociohet është negociuar dhe tani është në një tekst përfundimtar”, shkroi në Twitter Josep Borrell, kryediplomati i BE-së.
Borrell shtoi se “nëse këto përgjigje janë pozitive, atëherë ne mund ta nënshkruajmë këtë marrëveshje”.
Zëdhënësi i Borrell nuk dha sot detaje, siç janë përmbajtja e përgjigjes ose një afat i mundshëm./ATSh/