UBT News

​Basha me kryetarët e degëve: Kuvendi i 18 dhjetorit, bashkim i demokratëve

Në mbledhjen me 71 kryetarët e degëve të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, theksoi si detyrë kryesore që partia të dalë e bashkuar nga Kuvendi i 18 dhjetorit.

“Rama është kundërshtari ynë i përbashkët, pavarësisht çfarë mendojmë në këtë situatë që po kalojmë. Beteja me njëri-tjetrin nuk na çon askund. I shërben vetëm Ramës dhe patericave të tij, që po bëjnë gjithçka që beteja mes nesh të çojë në një ndarje të partisë”, tha Basha.

Sipas zyrës së shtypit të PD-së, Basha ngriti me kryetarët e degëve shqetësimin për qëndrimet, sipas tij, antistatutore të Sali Berishës, per të cilin tha se “nuk njeh asnjë institucion të PD-së, nuk njeh asnjë vendimmarrje”.

“Kjo histori e përdorimit të demokratëve si mburojë e interesave personale të kujtdo merr fund njëherë e përgjithmonë. Kryesia e Partisë Demokratike votoi për mbledhjen e Kuvendit legjitim. Sali Berisha thotë se prapë nuk e njeh. Ku qëndron morali i statutit që me forcë ngre Sali Berisha? Çfarë po kërkon ai? Sali Berisha nuk e ka hallin te statuti. Ai nuk njeh asnjë strukturë të partisë, sepse qëllimi i tij është që partia të shndërrohet në një mburojë të tij përballë Shteteve të Bashkuara”, tha Basha./A2

Exit mobile version