Partitë politike në Shqipëri po vijojnë fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 25 prillit. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, qëndroi në qytetin e Fierit, ku pasi falënderoi për pritjen entuziaste, tha se era e ndryshimit shihet në sytë e mbarë shqiptarëve.
Basha u shpreh se era pozitive e ndryshimit do të sjellë për çdo shqiptar mundësi, punësim dhe pozitivitet.
“Era e ndryshimit po fryn kudo në Shqipëri dhe e shoh në sytë e mbarë shqiptarëve, e dëgjoj në zërin tuaj, e dëgjoj me brohoritjet e fierakëve dhe lushnjarëve, e prek tek entuziazmi i rinisë. Era e ndryshimit po vjen, një ndryshim pozitiv, një çlirim shpirtëror, një çlirim nga stresi që na ka përfshirë këto tetë vite, një çlirim nga depresioni. Era pozitive e ndryshimit do të sjelli për çdo shqiptar mundësi, punësim dhe pozitivitet. Unë e di se kur era e ndryshimit fryn, kur shpirti juaj mbushet me besim, me shpresë se një e nesërme më e mirë po troket, se 25 prilli do të jetë një ditë e mirë për çdo shqiptar”, deklaroi Basha.
Në ecjen që pati në bulevardin e Fierit, Basha ka dëgjuar shqetësimet e bizneseve dhe qytetarëve. Basha tha se plani i Partisë Demokratike synon në radhë të parë të stabilizojë gjendjen e biznesit të vogël.
Sipas tij, ekonomia është shtyllë e programit qeverisës të PD-së dhe veprimet që do të ndërmarrë si kryeministër, Basha tha se do ta ndjejnë të gjithë.
“Duhet të keni shpresë e duhet të keni besim. 25 prilli do të jetë ditë ndryshimi dhe kur themi ndryshim kryesor është ekonomia. Në ekonomi biznesi i vogël, sipërmarrja e vogël është shtylla kurrizore, është 95% e biznesit shqiptar. Dhe plani ynë do bëjë në radhë të parë stabilizimin e gjendjes që mos të detyroheni të mbyllni qepenat apo të zhyteni në borxhe të tilla që e kanë të pa mundur për ta marrë veten. Dhe së dyti pastaj për t’i vënë të gjithë ingranazhet në lëvizje dhe këtë do ta ndiejnë të gjithë, do ta ndiej biznesi i vogël, do ta ndiejnë të punësuarit, do ta ndiejnë familjet, do ta ndiej prodhimi, fermeri, të gjithë”, vijoi Basha.
Kreu i Partisë Demokratike ka vijuar takime edhe më të rinjtë dhe sektorë të tjerë në qytetin e Fierit.