Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka pritur sot në takim ambasadoren e Republikës së Kroacisë në Kosovë, Danijela Barisiq, ku janë pajtuar që të intensifikohet edhe më tej bashkëpunimi bilateral në funksion të integrimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare të sigurisë dhe mbrojtjes për ofrimin e kontributit për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe më gjerë.
Mehaj ka shkruar në Facebook se bashkëpunimi i ngushtë me Kroacinë në fushën e mbrojtjes është në interes të përbashkët rajonal dhe më gjerë
“Me këtë rast, ambasadorja Barisiq më ritheksoi se Kroacia si një vend mik i Kosovës, sikur edhe deri më tash, do të vazhdojë të ndihmojë dhe mbështesë Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në në të gjitha fushat dhe komponentët e tyre në mënyrë që të përmbushë me sukses të plotë synimet e tyre. Kurse nga ana ime, ambasadores Barisiq i shpreha edhe këtë herë mirënjohjen e thellë për Republikën e Kroacisë, për përkrahjen e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, duke vlerësuar me rëndësi të madhe mbështetjen në fushën e arsimimit dhe stërvitjeve të ofruar në vazhdimësi, si dhe përvojën e forcave kroate në fushën e misioneve paqeruajtëse, industrinë e mbrojtjes dhe fushave tjera specifike”, ka shkruar ai.
Sipas Mehajt, nga diskutimi i sotëm, janë pajtuar që të intensifikohet edhe më tej bashkëpunimi bilateral në funksion të integrimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare të sigurisë dhe mbrojtjes për ofrimin e kontributit për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe më gjerë.