Edhe pse jo aq larg nga qendra, një lagje e madhe me një numër të konsideruar të banorëve, duket që nuk e ka vëmendjen e drejtuesve të komunën e Prishtinë. Bëhet fjalë për banorët në rrugën “Malush Kosova”, të cilëve u mungon rruga, ndriçimi, por edhe linja e autobusëve.
Punimet e ndryshme kanë dëmtuar rrugën, duke i shkaktuar vështirësi në qarkullim banorëve. Ata thonë se kanë bërë shumë kërkesa në komunë për problemet e tyre. Ndërkohë, përfaqësues të komunës kanë dhënë edhe disa lajme të mira për këtë lagje.
Shaban Majkofci, banor i kësaj lagje tha se rruga e paasfaltuar dhe mungesa e ndriçimit, po u shkakton probleme.
“Faktikisht po na shkakton pak probleme, por komuna është në dijeni se këtu kanë hy gypat e nxehjes qendrore, por kanë hy shumë me vonesë, kështu që koha si ka premtuar për me rregullu…Informacione kur pritet me u rregullu nuk kemi, mirëpo komuna është në dijeni. Probleme zakonisht që na shkaktojnë, po është çështja që janë hy gypat shumë me vonesë të nxehjes dhe për ata është mbet kësisoj”, tha Majkofci.
Ai po ashtu tha që edhe ndriçimi është pengesë.
“Ndriçimi është pengesë por po e ndriçojnë lokalet kësajde, se po është pengesë. Për ndriçim nuk di a kanë dijeni apo s’kanë komuna”, tha ai.
Arlinda Zenelaj, po ashtu banore e kësaj lagje, beson se komuna ende nuk është duke ndërmarrë asnjë veprim.
“Po, besoj që janë në dijeni, por nuk po ndërmarrin asgjë. Për neve është pengesë e madhe, po kalojmë me fëmijë ose diçka, kur po është koha shumë e ftoftë. Neve po na pengon shumë, edhe komunikacioni është shumë i dendur dhe ndriçimi është shumë pengesë”, tha Zenelaj.
Mehdi Makolli tha se probleme kanë edhe me linja të autobusëve.
“Besoj që komuna deri në gjysmë të rrugës ka pas ndriçim, ai herë lëshohet, herë ka e herë s’ka kohë pas kohe. Këto më punimet i kanë marrë i kanë lënë kështu …Na shkakton me siguri, por kur ia vlen me pas punime që janë të rëndësishme, ia vlen në fillim me heq pak, por me lanë qashtu rrugën në gjysmë shkakton, për vetura për këmbë, gjithçka…Ne më problem e kemi autobusin, ne s’kemi lidhje këtu. Lidhje të autobusit ne s’kemi, jemi sikur lagjja e izoluar…Në Prishtinë ka një ore eci për çdo ditë në mungesë të linjës së autobusit…100 herë kanë bo kërkesa, u dalë ndonjëherë ka një autobus, herë 6,7, e kanë provuar, ja ka ja s’ka, po përtojnë me dalë atje dhe s’janë dalë”, tha ai.
Lidhur me problemet në këtë lagje, KosovaPress ka marrë disa përgjigje nga drejtoritë në Komunën e Prishtinës.
Sa i përket ndriçimit në këtë rrugë,Bashkim Sadiku, zyrtar i lartë për energjetikë në komunë, gjatë një mesazhi me shkrim, tha për KosovaPress, se do të realizohet në bazë të mundësive buxhetore.
“Ju njoftojë se rruga e cila nuk ka ndriçim do të realizohet në bazë të mundësive buxhetore me projektet në vazhdim. E njëjta është në listë”, tha Sadiku.
Krenar Xhaferi, drejtor i Investimeve Kapitale tha që janë në zhvillim të kontratës dhe që është përzgjedhur kompania për rregullimin e rrugës.
“Realisht ne çdo ditë marrim kërkesa për prishjet e rrugëve, po ashtu edhe për rrugën “Malush Kosova”. Për rrugën “Malush Kosova”, jemi në proces të zhvillimit të kontratës, besoj javën tjetër fillojnë punimet në atë rrugë. Do të trajtohen të gjitha gropat dhe e gjithë rruga nga fillimi. Normalisht pjesët të cilat janë dëmtuar dhe do të trajtohet e gjithë rruga “Malush Kosova”, është përzgjedhur kompania dhe besoj javën tjetër veç fillojnë punimet, me fillimin e sezonës së punimeve në Prishtinë”, theksoi Xhaferi.
Ndërkaq, Habib Qorri, udhëheqës i sektorit për shërbime publike tha se linjat do të dizajnohen duke u bazuar në infrastrukturën rrugore, kërkesat dhe nevojat e qytetarëve për t’iu ofruar shërbimin e transportit, megjithatë, nuk ka treguar saktësisht nëse do të ketë transport publik në këtë rrugë.
“Sipas planit të tanishëm për linjat e transportit publik të udhëtareve, linja ka qenë deri në rrugën “Holgen Petersen”. Kurse me planin e mobilitetit ku është i planifikuar edhe riorganizimi i transportit publik të udhëtareve është i planifikuar ridizajnimi i linjave në territorin e qytetit të Prishtinës, ku përshihen të gjitha lagjet. Prandaj edhe linjat do të dizajnohen duke u bazuar në infrastrukturën rrugore, kërkesat dhe nevojat e qytetareve për t’iu ofruar shërbimin e transportit”, tha ai.