Presidenti i Bankës Botërore, David Malpass ka deklaruar se dobësimi i euros dhe inflacioni i lartë rrisin mundësinë e recesionit në Evropë.
Malpass në një fjalim që mbajti gjatë një aktiviteti në Universitetin “Stanford” tha se bota ndodhet përballë krizave që vijnë njëra pas tjetrës.
“Rreziku më emergjent për botën në zhvillim është kthimi në një recesion global i ngadalësimit të mprehtë në rritjen globale”, tha Malpass cili shtoi se shumë vende që janë në zhvillim nuk kanë mundur të rikthehen në nivelin e të ardhurave kombëtare për kokë të periudhës para pandemisë.
Duke rikujtuar se ekonomia e ShBA-së u tkurr në dy tremujorët e parë të këtij viti, Malpass theksoi se edhe rritja ekonomike e Kinës është ngadalësuar në mënyrë të mprehtë për shkak të masave të karantinës së marrë kundër pandemisë COVID-19.
Ai tha se Evropa ndodhet përballë me rritjen e papritur në çmimet e energjisë për shkak të luftës që Rusia ka filluar në Ukrainë.
“Dobësimi i euros dhe inflacioni i lartë ka rritur mundësinë e recesionit në Evropë dhe ka kufizuar edhe më shumë perspektivën e rritjes afatgjatë të Eurozonës”, tha Malpass.
Presidenti i Bankës Botërore tha se vendet në zhvillim ndodhen përballë rrezikut për vazhdimin edhe pas vitit 2023 të tendencave të tilla si inflacioni në ekonomitë e zhvilluara, ngadalësimi i rritjes, produktiviteti i ulët, konsumimi i burimeve globale të energjisë dhe normat e larta të interesit.
Malpass ka vënë në dukje se ulja e varësisë ndaj Rusisë në prodhimin e energjisë globale mund të marrë vite dhe se kjo mund të zgjasë rrezikun e stagflacionit ose periudhën e rritjes së ulët dhe inflacionit të lartë./ATSh