I akuzuari Labinot Gruda sot ka pranuar fajësinë në rastin e vjedhjes së 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, me ç’rast reagoi ish-ministrja e Ekonomisë, Hykmete Bajrami.
Ajo tha se menjëherë duhet të nisë kthimi i parave të buxhetit të Kosovës dhe se drejtësia duhet ta kryejë detyrën deri në fund pasi i akuzuari ka pranuar fajin.
“E denoncova, dikush e pa si faj, e pranoj këtë faj. Kam pranuar me qindra mesazhe përkrahëse që kam DENONCUAR vjedhjen e 2.1 milionë eurove. Dhjetëra e qindra reagime nëpër rrjete sociale e kërcënime pse kam denoncuar. Sot, kur i akuzuari kryesor e PRANOI fajin, po e pranoj edhe unë një faj. Fajin se e kam DENONCUAR. Dje, sot, nesër dhe përgjithmonë do të bëj të njëjtin faj. Prapë, do të DENONCOJ secilin krim e secilën vjedhje që ndodh. Nuk jam dorëzuar dhe nuk dorëzohem as nga ata që kanë tentuar të më ndalin të flasë e denoncoj paligjshmëri e shkelje ligjore tjera. Prandaj, sot, është ditë e madhe për drejtësinë. Është ditë e madhe për Kosovën. Menjëherë duhet të nisë kthimi i parave në buxhetin e Kosovës. Drejtësia duhet ta kryejë detyrën deri në fund pasi i akuzuari ka pranuar fajin dhe ka hapur rrugën për sqarimin e 2.1 milionë eurove deri në fund”, ka shkruar Bajrami.