Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës nuk do të pranojë pagë minimale më pak se 400 euro. Kështu tha kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi në një konferencë për medie ku kritikoi edhe Qeverinë për mosdialog me sindikatën.
Mosimplementimi i ligjeve në fuqi sipas Azemit është arsyeja që qytetarët e vendit po lëshojnë vendin, ku tha se brenda katër muajve aplikuan mbi 200 mijë qytetarë për lëshuar Kosovën.
“Duhet të njoftoj sektorët e sektorit provat të Kosovës se në raport me dialogun social nuk jemi të kënaqur me Qeverinë që kemi dhe gjithë dialogun e kemi pas kryesisht me MSH që e kemi një pjesë të punëtoreve në kuadër të MSH dhe dialog tjetër nuk kemi pas. Mosimplementimi j ligjeve në fuqi ka bërë që punëtorët e sektorit privat të mos ta shohin vetën në këtë mesin tonë. Ju e dini që më shumë se 200 mijë punëtorë brenda katër muajve kanë aplikuar për viza pune. Çka është më e rënda, në vitet e kaluar kemi pas ikje të të rinjve apo ndonjë profesion të caktuar ose mund të themi se nuk kanë qenë të angazhuar në procesin e punës. Ndërsa në vitin e fundit kemi ikje të punëtorëve të profesioneve të caktuara, pra lëshojnë vendin këtu”, tha Azemi.
Ai tha se gjendjen e punëtorëve në Kosovë e ka rënduar edhe më shumë ngritja e çmimeve bazike por edhe të energjisë.
“Gjendja e punëtoreve të sektorit privat ka qenë edhe ashtu e rëndë por rritja e inflacionit prej 6.8 në një far forme shpresat e këtyre punëtorëve i ka përdhosë dhe këta tanimë nuk kanë ndonjë shpresë së diçka do të ndryshojë në aspektin pozitivë. Arsyeje ka qenë edhe rritja e energjisë elektrike se ndoshta ne pajtohemi që do të ketë ngritje por jo këso ngritje”, tha Azemi.