UBT News

​Avokatja e viktimave thotë se Salih Mustafa është përgjegjës për vrasje

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po dëgjohet deklarata përmbyllëse e mbrojtëses së viktimave në gjykimin kundër ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa. Avokatja Anni Pues ka thënë se i akuzuari mban përgjegjësi për vrasje, ndalim arbitrar, trajtim çnjerëzor dhe torturë dhe sipas saj ai duhet të ndëshkohet.

Avokatja e viktimave, Anni Pues ka thënë se një person nga të ndaluarit, që pretendohet të jenë mbajtur në Zllash, ka humbur jetën dhe sipas saj për këtë mban përgjegjësi Salih Mustafa.

Ne dëgjuam dhe jo më pak nga dëshmitarët e mbrojtjes se i akuzuari ishte përfshirë aktivisht në evakuimin e të plagosurve nga Zllashi, nëse i akuzuari dha urdhëra aktive se çfarë duhet të ndodhte me viktimën ai është përgjegjës, nëse ai nuk u mor më tej se çfarë do të ndodhte me këtë të burgosur të plagosur rëndë, dhe ua la këtë njerëzve të tij, kjo nuk e çliron atë nga përgjegjësia… Pra i akuzuari kishte të gjithë informacionin e nevojshëm për të ditur se një gjë e tillë do të ndodhte, prandaj i akuzuari është përgjegjës për vrasje si dhe për ndalim arbitrar, trajtim mizor dhe torturë dhe për këtë duhet ndëshkuar”, ka thënë ajo.

Pues ka thënë se Salih Mustafa ka qenë në dijeni se vartësit e tij po kryenin krime dhe nuk ka bërë asgjë për t’i ndaluar ata.

Komandant Cali ishte komandant i BIA-s dhe nuk ka asnjë dyshim, kur ai nuk ka marrë pjesë drejtpërdrejt në krimet në fjalë, vartësit e tij e kanë bërë këtë, ai e ka ditur dhe ka pasur arsye të dijë se çfarë ka ndodhur në Zllash, ai ka qenë i pranishëm dhe është përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejt, ai nuk ka marrë masa për t’i ndaluar ata. Dështimi për të ndërmarrë veprimin e duhur, për të parandaluar apo dënuar aktet e torturës apo krimeve të tjera është përfshirj e tij e drejtpërdrejt dhe ka efektin shtues. Si komandant, zotëri Mustafa ju e keni pasur të drejtën për t’i mbrojtur viktimat, përkundrazi ju dhe njerëzit tuaj keni bërë ndalim arbitrar dhe keni kryer krimet me të cilat janë ngarkuar dhe nën komandën tuaj të paktën njëri është vrarë”, ka thënë Pues.

Sipas saj, nuk ka asnjë dyshim se njerëzit janë ndaluar pa asnjë arsye të justifikueshme.

Nuk ka asnjë dyshim që njerëzit janë ndaluar dhe janë ndaluar pa asnjë arsye të justifikueshme dhe në mungesë të një ligji që të mbështeste paraburgimin e tyre. I akuzuari mban përgjegjësi po kështu edhe për trajtimin çnjerëzor të viktimave të cilat kanë dhënë dëshmi para këtij trupi gjykues, si dhe të viktimave të tjera të cilat janë mbajtur në kompleksin e Zllashit. Prokuroria ka përshkruar në hollësi gjendjen në të cilën janë gjetur viktimat dhe abuzimet e tmerrshme që kanë pësuar ato dhe trajtimi çnjerëzor është një sulm dhe ka shkaktuar dhimbje të mëdha. Është ky aspekt çnjerëzor që i bën ata të ndjehen më keq se kafshët duke bërë që disa prej tyre të prisnin më mirë që t’i merrte vdekja”, ka thënë avokatja e viktimave.

Deklarata përmbyllëse e mbrojtëses së viktimave vjen pasi të martën përfundoi deklarata përfundimtare e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

ZPS kërkoi që Salih Mustafa të shpallet fajtor për katër pikat e aktakuzës dhe të marrë një dënim të vetëm prej 35 vjet burgim.

Në fillim të këtij procesi Salih Mustafa, ndaj të cilët rëndojnë akuza me pretendimin për krime lufte, ishte deklaruar i pafajshëm para trupit gjykues.

Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë prej 24 shtatorit të vitit 2020 kur është arrestuar.

Exit mobile version