Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUV) ka hequr nga tregu disa produkte “Kinder”, pas raportimeve në vende të tjera të botës se në to është gjetur bakteri salmonelë.
Në një komunikatë për media bëhet e ditur se AUV ka nisur hulumtimet mbi mundësitë e shitjes së këtij produkti në Kosovë pas lajmërimeve për tërheqje nga tregu të disa serive të produkteve Kinder prodhues Ferrero, rezultuar pozitive në salmonelë në vende të tjera.
“Menjëherë kemi nisur hulumtimet mbi mundësitë shitjes se këtij produkti edhe ne vendin tonë. Edhe pse deri më tani asnjë nga produktet Kinder të tregtuara në Kosovë nuk ka ndonjë analizë qe ka rezultuar pozitiv në salmonelë. Përderisa ne kemi mandatin për mbrojtje të konsumatorëve i cili është edhe prioritet i yni, në koordinim dhe me njoftim të prodhuesit, si masë paraprake është vendosur tërheqja produkteve Kinder sipas llojeve dhe serive”, thuhet në komunikatë.
Sipas AUV-së, prodhuesi në koordinim me distributorin kanë vendosur për të tërhequr vullnetarisht këto produkte të specifikuara.
Inspektorati Sanitar i AUV-së është dukë bërë mbikëqyrjen e tërheqjes së produkteve dhe në të njëjtën kohë janë duke marrë mostra për testime laboratorike.
AUV rekomandon konsumatorët që kanë blerë ndonjë nga produktet përkatëse si në tabelën më vijim, të mos i konsumojnë ato, por t’i kthejnë tek distributori.