Austria kërkon të zbatojë një ligj të ri kundër korrupsionit pas një skandali që përfshiu një politikan të Partisë së Lirisë së ekstremit të djathtë (FPÖ) duke çuar në rënien e qeverisë në 2019.
“Projektligji kundër korrupsionit, i cili tani po kalon në një rishikim tetëjavor, është më i rrepti në botë”, njoftoi ministrja Karoline Edtstadler në Vjenë.
“Zyrtarët publikë në të ardhmen do të përballen me procedura ligjore nëse kanë marrë ryshfete në rolin e tyre si kandidatë. Ky do të shihej si një rast “korrupsioni paraprakisht”, tha ministrja e Drejtësisë, Alma Zadiç.
Në video regjistrimin sekret të marrë në Ibiza në vitin 2019, ish-udhëheqësi i populistit të djathtë FPÖ, Heinz-Christian Strache, i kishte premtuar mbesës së një oligarku kontrata të ardhshme shtetërore në këmbim të mbështetjes së partisë së tij.
Duke qenë se ai ishte ende në opozitë në kohën e regjistrimit të videos dhe nuk ishte në gjendje të plotësonte kërkesat, këto deklarata nuk ishin vepër penale.
“Në të ardhmen, blerja e një vendi në parlament do të dënohet gjithashtu me ligj”, tha Zadiç.
“Ligji i ri zbatohet jo vetëm për politikanët, por edhe për zyrtarët e lartë në Ministri. Funksioni i tyre shembullor duhet të pasqyrohet në sjelljen e tyre”, tha Zadiç./ATSH