Auditori i Përgjithshëm i Kosovës Besnik Osmani ka pritur sot në një takim presidentin e Institucionit Suprem të Auditimit të Polonisë Marian Banash me të cilin ka biseduar për bashkëpunim bilateral me qëllim të avancimit të auditimit të jashtëm dhe përmirësimin e menaxhimit të parasë publike.
Ata kanë folur edhe për vështirësitë dhe sfidat si dhe për procesin e auditimit në kohë pandemie.
Osmani me këtë rast ka falënderuar homologun polak për ndihëm e vazhdueshme dhënë ZKA-së në ngritjen e kapaciteteve profesionale. Ai është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin e deritanishëm si dhe u zotua për vazhdimin e këtij bashkëpunimit në mes të dy organizatave përmes projekteve të reja.
Ndërsa, Banash ka vlerësuar se bashkëpunimi ndërmjet dy organizatave është në shërbim të rritjes së cilësisë në auditimin e jashtëm, duke thënë se do të punojnë në ngritjen e marrëdhënieve të mira në mes të organizatave, veçanërisht punën që lidhet me procesin e auditimit për COVID-19.
Osmani dhe Banash janë shprehur të kënaqur që Zyra Kombëtare e Auditimit të Polonisë dhe Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës kanë arritur që ta përmbyllin me sukses Projektin e Binjakëzimit “Fuqizimi i mëtejmë i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit në Kosovë” të financuar nga Bashkimi Evropian.
Pavarësisht sfidave të shkaktuara nga pandemia COVID-19 për më shumë se një vit, të gjitha aktivitetet janë zhvilluar përmes platformës online duke mos u shkaktuar asnjë vonesë apo aktivitet i humbur.
Ky takim u realizua në kuadër të vizitës së presidentit të Institucionit Suprem të Auditimit të Polonisë Marian Banash në Kosovë për të marrë pjesë në konferencën përmbyllëse të Projektit të Binjakëzimit.