Sot Administrata Tatimore e Kosovës, konkretisht Departamenti i Hetimeve Tatimore në asistencë të Policisë së Kosovës ka zhvilluar një aksion hetimor në një ordinancë të mjekësisë së specializuar në qendër të Prishtinës.
Fatura të shitjes së shërbimeve, evidenca e klientëve për shërbimet e kryera, lista e produkteve në stoqe, 2 USB e ekstraktim i dosjeve elektronike nga pesë kompjuterë si dhe shënime të tjera relevante janë sekuestruar gjatë aksionit të sotëm.
“Qëllimi i ndërmarrjes së këtij aksioni ishte hetimi i transaksioneve biznesore tek një kompani, të cilat transaksione bazuar në informatat e pranuara nga palët e treta, si dhe krahasimit të tyre me informatat me të cilat disponojmë në databazën e ATK-së, kemi konstatuar mospërputhje të deklarimeve të bëra në ATK ne raport me informatat të cilat janë siguruar nga palët e treta. DHTI pas ndjekjes së të gjitha procedurave më Prokurorin dhe pas aprovimit të urdhëresës për bastisje nga ana e Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, me qëllim të sigurimit të fakteve kemi zhvilluar një aksion kontrolli (bastisje)”, thuhet në komunikatën e ATK-së.
Aksioni është zhvilluar në dy lokacione te i njëjti biznes, i cili veprimtari primare ka aktivitetet e mjekësisë së specializuar, ku gjatë aktivitetit si provë materiale te ky biznes janë sekuestruar dokumentet e lartpërmendura.
Tutje thuhet se “Pas analizimit të informatave dhe dëshmive të marra rasti do të procedohet në Prokurorinë kompetente dhe për të gjeturat e konstatuara do të jeni të informuar”.