Sipas Administratës Tatimore të Kosovës, trendi rritës i të hyrave vazhdon ta dominojë inkasimin edhe për periudhën janar-tetor 2022, ku përtej planit është për 12.9 milionë euro apo 2.1%. Përderisa vlera totale e inkasimit shkon në 623.6 milionë euro tatime. Ndërsa, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka rritje për 111.1 milionë euro apo 21.7%.
Në komunikatën e ATK-së bëhet e ditur se performanca e të hyrave vazhdon të jetë jashtëzakonisht e lartë, pavarësisht rishikimit të bërë të planit deri në fund vitit. Po ashtu, vlen të theksohet se kjo rritje ka ndodhur pa pasur ndryshim të normave tatimore.
“Vlerësim për rritje dyshifrore të të hyrave së fundi ATK ka marrë edhe nga raportet ndërkombëtare, si ai nga Komisioni Evropian dhe PEFA. Në këto raporte theksohet se progres i mirë është bërë gjatë periudhës raportuese në lidhje me mbledhjen e tatimeve, ku të ardhurat e përgjithshme për vitin fiskal 2021 ishin 19% më të larta se në vitin 2020 (të hyrat e përgjithshme, ATK & Doganë)”, thuhet po aty.