UBT News

​Atiq: Institucionet do të funksionojnë pavarësisht sulmeve

Kryetari i komunës në veri të Mitrovicës, Erden Atiq, ka deklaruar se do të vazhdojnë punën pavarësisht sulmeve dhe kërcënimeve. Ai ka reaguar pasi objekti komunal u sulmua mbrëmë me granatë dore.

Atiq u ka bërë thirrje organeve të rendit dhe të drejtësisë që të trajtojnë me urgjencë këtë rast dhe kryesit të dalin para drejtësisë.

“Sulmi i mbrëmshëm me granatë dore M75 në objektin e komunës sonë është padyshim sulm i organizuar terrorist. Këto akte kriminale e terroriste që tentojnë të ngjallin frikë nuk do të ia dalin. Institucionet do të funksionojnë pavarësisht sulmeve e kërcënimeve të tilla. Në anën tjetër, unë i bëj thirrje organeve të rendit dhe të drejtësisë që ta trajtojnë me urgjencë rastin dhe kryesit e këtij sulmi të vihen sa më parë para drejtësisë”, ka shkruar ai. 

Ndërtesa e komunës në veri të Mitrovicës është sulmuar me granatë dore, mbrëmë në orët e vona. 

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka të lënduar, përveç dëme materiale të shkaktuara në dy vetura zyrtare policore.

“Me datën 26.06.2023, në orët e vona të mbrëmjes nga person/a të dyshuar është sulmuar me mjetë shpërthyes Komuna në Veri të Mitrovicës. Bazuar në informatat zyrtare dyshohet se në oborrin e objektit komunal në Mitrovicë Veri, afër hyrjes së objektit është hedhur një mjet shpërthyes, i cili dyshohet të ketë qenë granat dore, me çrast ka shkaktuar disa dëme materiale në veturat zyrtare”, ka deklaruar zëdhënësi i PK-së, Baki Kelani.

Exit mobile version