Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës i bën thirrje Qeverisë që urgjentisht t’i procedojë pagat për mësimdhënësit sipas akteve ligjore në fuqi.
Në një reagim për media thuhet se AKK-ja ka pranuar shqetësimet e Komunave, Kryetarëve të Komunave dhe Kolegjiumit të Drejtorëve Komunalë të Arsimit për mosekzekutimin e pagave të mësimdhënësve nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
“Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës me kujdes po përcjell situatën duke pranuar shqetësimet e Komunave, Kryetarëve të Komunave dhe Kolegjiumit të Drejtorëve Komunal të Arsim, për mosekzekutimin e pagave të mësimdhënësve nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Bordi rithekson se Komunat janë punëdhënëse e përgjegjëse për vijueshmërinë në punë dhe përgjegjëse për ndalesat eventuale sipas legjislacionit në fuqi. MFTP-ja është vetëm ekzekutuese e pagesave, jo edhe ndërmarrëse e veprimeve të njëanshme pa asnjë vendimmarrje të punëdhënësit, në këtë rast Komunave.
“Kjo qasje e nivelit qendror është në kundërshtim me praktikat e deritanishme të bazuara në ligjet pozitive në Kosovë. Deri më tani, në asnjë rast nuk ka ndodhë të kemi ndalesa të pagave të punëtorëve të asnjë sektori me të cilin menaxhojnë komunat, pa veprimin ligjor paraprak të vetë punëdhënësit”, thuhet më tej në reagim.