Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin dhjetor 2021, sipas të cilave del se ka pasur një deficit tregtar më të lartë për 27.8 % në muajin dhjetor 2021 në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2020.
Në një komunikatë për media, ASK ka bërë të ditur se eksporti mbulon importin me 14.1 %.
“Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 27.8% në muajin dhjetor 2021, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2020, gjegjësisht në vlerë prej 394.9 milion Euro, krahasuar me deficitin 309.1 milion Euro në vitin 2020. Eksporti mbulon importin me 14.1%”, thuhet në komunikatë.
Eksporti i mallrave në muajin dhjetor 2021 kishte vlerën 65.0 milionë euro, ndërsa importi 460.0 milionë euro, që është një rritje prej 39.3 % për eksport dhe 29.3 % për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020.
“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 30.5% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 22.1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.8 % e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 9.0% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.1% e përbëjnë produktet minerale; 3.9% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj. Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 15.0% e përbëjnë produktet minerale; 14.0% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12.5% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 9.3% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 8.6% e përbëjnë mjetet e transportit; 6.9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 6.8% e përbëjnë produktet e industrisë kimike, etj”, bën të ditur ASK.
Sipas ASK-së, eksportet e Kosovës në vendet e BE-së (27) arritën në 17.2 milion euro, ose rreth 26.5 % e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 43.5 %. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (9.4 %), Italia (2.9 %), Holanda (2.3 %), etj. Ndërkaq sa i përket importit të Kosovës nga vendet e BE-së (27) ASK thekson se ishin rreth 210.6 milion euro, ose 45.8 % e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 30.4 %. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (12.0 %), Italia (7.2 %), Sllovenia (4.7 %), Greqia (4.3 %), etj.
Në muajin dhjetor 2021, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 22.8 milion Euro, ose 35.1% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-1.0%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (13.5%), Maqedonia e Veriut (13.3%), Serbia (5.4), dhe Mali i Zi (2.0%).
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin dhjetor 2021, arritën në 79.4 milion Euro, ose 17.3% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 14.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (6.4%), Maqedonia e Veriut (5.2%), dhe Shqipëria (4.3%).
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 24.9 milion Euro, ose 38.4%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA (25.9%), dhe Zvicra (6.6%).
Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 169.9 milion Euro, ose 37.0%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13.4%) dhe Kina (11.0%).