Ministria e Financave nuk ka alokuar as sot deri në orën 16:00 pagat për grevistët. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë se pagat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët që kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre.
“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva”, theksoi ai.
Ndërsa Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës ka pritur që pagat të dalin sot gjatë ditës.
Në anën tjetër, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë se mosekzekutimi i pagave për grevistët është në kundërshtim me ligj.
“Është persekutim ndaj grevistëve. Përndryshe, secili grevist që paraqet Padi në gjykatë, përveç pagës, pastaj do të kompensohet edhe me shpenzimet e avokatit dhe kamatën ligjore. Me fjalë tjera, nga një pagë që mund të jetë 480 euro për një muaj, shteti do të paguajë diku 1500 euro. Në fund faturën e paguan taksapaguesi”, ka shkruar Miftaraj.
Greva në arsim dhe në administratën publike në nivelin lokal dhe qendror, nisi më 25 gusht. Sindikalistët kërkuan nga 100 euro për punëtor për çdo muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për paga.