Dhjetëra artistë amerikanë do të përformojnë në Prishtinë, Prizren dhe Mitrovicë, në kuadër të marrëveshjes për shkëmbimin kreativ ShBA-Kosovë. Përmes projektit i cili u nënshkrua sot nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier dhe organizata joqeveritare “Autostrada Biennale”, artistët amerikanë do të prezantojnë veprat e tyre artistike në Kosovë, ku do të synohet ndërtimi i urave të bashkëpunimit përmes artit dhe kulturës.
I pari i kryeqytetit, Përparim Rama e përshëndeti arritjen e kësaj marrëveshje, ku nënvizoi rëndësinë e diplomacisë kulturore.
Ai paraqiti edhe detaje se ku do të prezantojnë veprat e tyre artistët amerikanë, derisa tha se ky projekt do të jetë vlerë e shtuar për artin dhe kulturën në Prishtinë.
“Bashkëpunimet të cilat i kemi pasur shumë të mirëfillta deri tash, do të vazhdojnë në një mënyrë edhe më të mirë dhe të shtuar në aspektin e artit dhe kulturës, ndërmjet kryeqytetit, organizatave joqeveritare dhe Ambasadës Amerikane. Përmes saj do të vijnë artistë të mirënjohur amerikan të cilët do të jenë të ekspozuar këtu në kryeqytet, duke iu falënderuar intervenimeve fantastike që po i bënë autostrada bienale në tulltore. Aty e kemi një artiste të mirënjohur amerikane, e cila për fat të keq nuk mundet me qenë këtu se është 92 vjeçare, por e di se ka përshëndet kryeqytetin prej Amerikës”, tha ai.
Në anën tjetër, ambasadori i ShBA-së, Jeffrey Hovenier, tha se artistët amerikanë gjatë qëndrimit në Kosovë, do të krijojnë dhe ekspozojnë veprat e tyre të artit.
Ai u shpreh i ngazëllyer me arritjen e këtij projekti, derisa tha se e mirëpret me padurim sinergjin e krijuar të ndjenjave amerikane dhe atyre kosovare.
Sipas tij, përmes artit dhe dialogut thyhen të gjitha barrierat ndërmjet vendeve.
“Këta artistë vijnë nga anë të ndryshme të ShBA-së dhe me vete sjellin një larmi të gjerë të prejardhjes, mediumit po ashtu edhe këndvështrimeve artistike gjatë shprehjes së atij artit të tyre. Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë këta artistë do të krijojnë dhe do të ekspozojnë veprat e tyre. Prandaj e mirëpres me padurim këtë sinergji të ndjenjave amerikane dhe ndjenjave kosovare. Ata do të angazhohen në tërë vendin, jo vetëm në Prishtinë, por do të shkojnë edhe në Prizren dhe Mitrovicë”, theksoi ai.
Kurse, drejtori i organizatës joqeveritare Autostrada Biennale, Leutrim Fishekqiu, tha se ky projekt do të kontribuojë edhe në shkathtësimin e të rinjve.
“Autostrada Bienale jo vetëm që është bienale e artit bashkëkohor ajo ka themeluar edhe institucionin e saj e cili është një institucion i edukimit dhe prodhimit. Nga ideja e kësaj autostrade kemi pasur përkrahjen e komunës dhe ambasadës amerikane, të cilat e kanë përkrah si ide. Hapet rrugë që përmes një hapësire prodhuese dhe edukative të kemi projekte më afatgjate për kontribut të shkathtësive të rinjve, e cila pastaj po përkthehet pastaj edhe në aspektin ekonomik”, deklaroi ai.
Krahas këtyre, të tre folësit nënvizuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit për artin dhe kulturën në Prishtinë.