UBT News

​Arrestohet një person për mashtrim të subvencioneve nga pako Emergjente për COVID-19

Është arrestuar një person i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “Mashtrim me subvencione” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.

Nga Prokuroria Themelore në Ferizaj thonë se ekziston dyshimi se ai J.U gjatë periudhës mars dhe prill të 2020-ës ka mashtruar në lidhje me qëllimin e përfitimit nga Pakoja Fiskale Emergjente për COVID-19, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerë prej 4 mijë e 940 euro.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se pas një hetimi disa mujor nga ana e Prokurorisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Ferizaj, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar të dyshuarin J.U., nga komuna Ferizaj, në kohëzgjatje prej 48 orësh, pasi dyshohet se i njëjti ka kryer veprat penale ‘Mashtrimi me subvencione’ nga neni 324 dhe “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri J.U., gjatë muajit mars dhe prill 2020, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm nga vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndihmat me Pakon Fiskale Emergjente për COVID-19, për shoqëritë tregtare dhe punëdhënësit tjerë që regjistrojnë punëtorë me kontrata pune së paku një (1) vjeçare nga njëqind e tridhjetë (130) Euro për dy muaj pasues pas regjistrimit, i njëjti kishte lidhur disa kontrata pune, gjithsej nëntëmbëdhjetë (19) duke deklaruar në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) se ka nëntëmbëdhjetë (19) punëtorë të rinj dhe përfitimi nga kjo masë ishte 2,470.00€ për një (1) muaj, që gjithsej për dy muaj (Mars-Prill 2020) i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerë prej 4,940.00€”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt.

Po ashtu ekziston dyshimi se J.U me dashje ka përpiluar dokumente të falsifikuara, konkretisht kontrata pune pa autorizim dhe pa pëlqimin e të dëmtuarve, e kjo me qëllim të shfrytëzimit të këtyre dokumenteve si origjinal.

“Po ashtu, i dyshuari J.U., me dashje ka përpiluar dokument të falsifikuar, konkretisht kontrata pune pa autorizim si dhe pa pëlqimin e të dëmtuarve, me qëllim të shfrytëzimit të këtyre dokumenteve si origjinal edhe pse asnjërin nuk e kishte të regjistruar në ATK dhe nuk i’u kishte paguar kontributet personale, por kjo ishte bërë vetëm për të aplikuar për marrjen e subvencioneve të punëtorëve. Prokuroria Themelore në Ferizaj, brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit, do të paraqes kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Exit mobile version