UBT News

​Arrestohet i dyshuari për vjedhjen e 40 mijë eurove në Ferizaj

Policia e Kosovës ka arrestuar një person nën dyshimin se ka vjedhur 40 mijë euro dhe stoli ari në vlerë 25 mijë euro. Rasti raportohet të ketë ndodhur në një shtëpi në fshatin Greme të Ferizajt.

Sipas njoftimit të Policisë në Ferizaj, më datë 18 mars persona të panjohur kishin hyrë me forcë në këtë shtëpi.

“Me datën 18.03.2023 rreth orës 04:00 në një shtëpi banimi në fshatin Greme të Ferizajt, persona të panjohur kishin depërtuar me forcë dhe nga aty dyshohet se kishin vjedhur para në vlerë prej 40 mijë euro, stoli ari në vlerë prej 25 mijë euro, dy armë zjarri (pistoleta) me leje dhe sasi të municionit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Pas hetimeve, është arrestuar 49 vjeçari S.I.

“Hetuesit rajonal pas një punëve intenzive, grumbullimit të informacioneve në terren, shikimit të kamerave të sigurisë, kanë arritur që të sigurojnë prova të mjaftueshme dhe me datën 27.03.2023 rreth orës 19:30 kanë arrestuar të dyshuarin S.I (M/K) i moshës 49 vjeçar, i cili dyshohet se ka kryer vjedhje të rëndë”, thuhet në njoftim.

Pas intervistimit të tij, i dyshuari është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejmë hetimore.

Exit mobile version