Policia në Ferizaj ka arrestuar mbrëmë rreth orës 21:00 një të dyshuar për therjen me thikë të një personi tjetër me datë 4 qershor. I arrestuari është Y.R., mashkull, shtetas i Kosovës, i moshës 31-vjeçare. Si provë materiale është sekuestruar edhe thika me të cilën dyshohet se është kryer vepra.
Të shtunën e 4 qershorit në mesditë në rrugën “Kemajl Hetemi” në Ferizaj, kishte ndodhur një rast i lëndimit të rëndë trupor, ku personi me inicialet Sh.S., i moshës 35-vjeçare kishte pësuar lëndime të rënda trupore si pasojë e therjes me thikë nga një person i cili kishte ikur nga vendi i ngjarjes dhe rasti fillimisht ishte cilësuar “Lëndim i rëndë trupor”.
Pas intervistimit nga hetuesit rajonalë, me vendim të prokurorit të rastit, i dyshuari Y.R. është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti është ricilësuar “Vrasja e mbetur në tentativë”, për procedura të mëtejme hetimore.