UBT News

​Arrestohen dy persona për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit pas hetimeve të ndërmarra në koordinim me prokurorin e shtetit, në dy raste të ndryshme, ka arrestuar dy persona të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Siç njofton Policia, në rastin e parë personi i arrestuar (ish-zyrtar i gjendje civile në Fushë Kosovë-tani i pensionuar) dyshohet se gjatë punës së tij, në kundërshtim me ligjet dhe aktet nënligjore, pa u vërtetuar dhe verifikuar, i ka regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile personat e dyshuar (NN), të cilët më pastaj kanë arritur të pajisen me dokumente identifikuese si letërnjoftim dhe pasaportë të RKS-së, me të dhëna të pavërteta.

Përderisa, në rastin e dytë, një person tjetër ( ish-zyrtar i gjendje civile në Prishtinë -tani i pensionuar) është arrestuar nën dyshimet vijuese se gjatë punës së tij, në kundërshtim me ligjet dhe aktet nënligjore, në dy raste me persona të ndryshëm, pa u vërtetuar dhe verifikuar, në kundërshtim me të dhënat nga libri amzë i të lindurve, i ka regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile personat e dyshuar (NN), të cilët më pastaj kanë arritur të pajisen me dokumente identifikuese si letërnjoftim dhe pasaportë të RKS-së, me të dhëna të pavërteta.

Me aktvendim të prokurorit të shtetit, dy (2) personave të arrestuar iu caktohet masa e ndalimit prej 48 orëve, për procedura të mëtejme.

Exit mobile version