Në Klinë janë arrestuar katër të mitur nën dyshimin se kanë vjedhur në një market. Nga dy prej katër të miturve policia u ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj.
Sipas njoftimit të PK-së, të miturit kanë vjedhur gjëra ushqimore dhe sasi të konsiderueshme të alkoolit.
“Policia e Kosovës, Stacioni Policor nё Klinë, me datёn 02.02.2021, ka pranuar njё informacion se nё rrugën ‘Abedin Rexha’ në Klinё, disa persona kanë depërtuar brenda një marketi dhe kanë vjedhur gjëra ushqimore dhe sasi të konsiderueshme të alkoolit të llojeve të ndryshme. Njësiti i Hetimeve pranë Stacionit Policor në Klinë, pas njё pune intensive operativo-hetimore, kanë arritur tё identifikojë dhe arrestojë katër (4) tё dyshuarit e moshës së mitur”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Sipas komunikatës, tё dyshuarit të cilët dyshohen se kanë kryer edhe shumë vepra tjera penale “Vjedhje e rëndë” pas intervistimit në koordinim të plotë me Prokurorin për të mitur dhe Prokurorin për krime të rënda, janë ndaluar pёr 24- orё.
Ndërsa nga Gjyqtari për të mitur të dyshuarve iu është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh./UBTNews