Bashkimi Evropian ka lansuar sot nëngrante për 30 organizata lokale që ofrojnë shërbime sociale dhe familjare, si përgjigje ndaj pandemisë COVID-19. Me këtë rast u vu në pah nevoja për një sistem të qëndrueshëm të mbrojtjes sociale.
Përmes nëngranteve të ofruara në kuadër të projektit “Fuqizimi i ofrimit të shërbimeve sociale për grupet më të cenueshme në Kosovë, si përgjigje ndaj COVID-19”, organizatat do të ofrojnë shërbime të domosdoshme, të kualitetit të lartë për fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët dhe të rriturit në nevojë dhe në rrezik të përjashtimit social, si dhe për viktimat e dhunës dhe trafikimit.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori Tomas Szunyog, tha se ky projekt synon të zvogëlojë ndikimin e pandemisë tek grupet e cenueshme. Ai potencoi rëndësinë që ka ofrimi i mbrojtjes sociale, për çka tha se janë angazhuar që grupet e cenueshme të integrohen në jetën e përditshme të shoqërisë kosovare.
“Ky projekt ka filluar si përgjigje në shpëtimin nga pandemia COVID-19, dhe ka për qëllim të zvogëloj ndikimin e pandemisë tek grupet e cenueshme. Përmes këtyre organizatave, ky projekt kontribuon në ngritjen e disponueshmërisë, në shërbime kualitative esenciale për djemtë, vajzat dhe sidomos ata që vuajnë nga pasojat socio-ekonomike nga pandemia, si dhe personat që janë në rrezik… Hap përpara është që të ofrojmë sistem të mbrojtjes sociale, i cili është i qëndrueshëm dhe u mundëson atyre që të integrohen në jetën e përditshme të shoqërisë kosovare”, tha Szunyog.
Drejtori i Save the Children në Kosovë, Ahmet Kryeziu u shpreh i lumtur me rastin e lansimit të nëngranteve, teksa shtoi se shtrirja në 24 komuna të Kosovës do t’u mundësojë organizatave përfituese që të rrisin bashkëpunimin me komunën dhe mes vete.
Në këtë mënyrë, siç tha ai, fuqizohen kapacitet e organizatave të shoqërisë civile në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve. Ai tha se nevoja për shërbime sociale në Kosovë është theksuar edhe më shumë gjatë pandemisë, derisa shtoi se janë angazhuar që t’u jenë afër grupeve të cenueshme në vend.
“Përmes këtij projekti jemi angazhuar që të fuqizojmë kapacitetet e organizatave të shoqërisë civile, në përmirësimin e cilësisë së këtyre shërbimeve, disponueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së tyre. Përmes mekanizmit të financimit të palëve të treta, OJQ-ve që ofrojnë shërbime sociale në nivel lokal, ne jemi duke mundësuar që fëmijët me aftësi të kufizuar, fëmijët dhe të rriturit në nevojë dhe në rrezik të përjashtimit social, si dhe viktimat e dhunës dhe trafikimit të kenë qasje në shërbimet që përmirësojnë mirëqenien e tyre. Kjo përfshin rritjen e mirëqenies së tyre, krijimin e mundësive për jetesë më të mirë si dhe zhvillimin emocional”, tha Kryeziu.
Zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Ilir Kapiti, tha se programi i Qeverisë ka ndër prioritetet kryesore shërbimet sociale dhe se deri më tani janë licencuar 50 organizata jo-qeveritare që ofrojnë shërbime sociale dhe familjare.
“Gjatë vitit 2020-21, ofrimi i shërbimeve sociale dhe familjare ishte në vështirësi krahasuar me vitet paraprake, kjo për shkak të situatës së shkaktuar nga pandemia dhe ndryshimet e shpeshta politike që ndodhën, e që nuk kanë kontribuar fare në këtë drejtim. Sidoqoftë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve përmes politikave sociale dhe familjare është duke vazhduar procesin e licencimit të OJQ-ve, ku deri më tash janë lansuar 50 sosh… MFPT sipas buxhetit të aprovuar për 2021, përmes thirrjes publike, ka ofruar mbështetje financiare prej 900 mijë euro për mbështetje të 39 OJQ-ve të licencuara në ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare”, tha ai.