Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami ka reaguar pas zhvillimeve të fundit që po ndodhin në veri të vendit.
Bajrami me anë të një postimi të gjatë në Twitter ka theksuar se Qeveria e Serbisë po përdorë bandat kriminale e grupet paraushtarake, të lidhura me Rusinë, për të ngritur barrikadat dhe për të sulmuar institucionet dhe Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe KFOR-in.
“Qeveria e Serbisë me qëllim nxit dhunën dhe rrit tensionet në veri të Kosovës. Beogradi po përdor bandat kriminale dhe grupet paraushtarake të lidhura me Rusinë për të ngritur barrikada, për të vendosur në shenjë serbët “jo-besnik”, për të sulmuar institucionet dhe Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe KFOR-in”, shkruan Bajrami.
Sipas tij, kjo po bëhet për të parandaluar dialogun që mbështetet nga vendet perëndimore dhe për mbajtur larg presionin që Serbia të braktis aleancën me Rusinë.
“Qëllimi? Parandalimi i përfundimit të Dialogut të Brukselit sipas propozimit të BE-së, të miratuar nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës; Parandalimi i integrimit të serbëve në institucionet e Kosovës; dhe Hutimi i publikut dhe mbajtjen larg të presionit Perëndimor për të braktisur aleancën me Rusinë”, thekson ai.
“Lejimi (dhe udhëzimi) i medieve të kontrolluara nga shteti, çmenduria e tyre me propagandë dhe gënjeshtra për Kosovën, shqiptarët, BE-në, SHBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë; Hedhja e benzinës në zjarr duke folur për ‘terrorin’ shqiptarë/Kurti, ‘fushatën anti-serbe të mbështetur nga Perëndimi’ dhe ‘luftën dhe gjakderdhjen e ardhshme’; Shtimi i presionin dhe sulmeve kundër serbëve që kanë mendim të lirë; Nxitjen e gjuhës së urrejtjes anti-shqiptare në diskursin qeveritar dhe mediatik; Vendosjen e ushtrisë në gatishmëri të lartë!; Dërgimi i trupave ushtarake dhe artilerisë në kufirin e Kosovës; dhe Përshtatja e interesave ruse në Ballkan”, shton Bajrami.
Në fund, ambasadori Bajrami pohon se kërcënimi i Serbisë është kërcënim ndaj NATO-s e BE-së dhe se një Kosovë sovrane e demokratike është pengesë për influencën serbe e ruse në Ballkanin Perëndimor.
“Çfarë duhet mbajtur mend? Kërcënimi i Serbisë ndaj Kosovës është kërcënim ndaj NATO/BE; Pozicionimi gjeostrategjik i Serbisë është në mbështetje të Putinit/Rusisë; Kosova sovrane dhe demokratike (si Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria) është pengesë për dominimin/influencën serbe/ruse në Ballkanin Perëndimor; dhe Zbutja nuk do të funksionojë”, përfundon Bajrami.
Grupe të qytetarëve serbë në veri ngritën barrikada qysh më 10 dhjetor, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb nga Policia e Kosovës.
Për shkak se barrikadat kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë – këto dy pika janë mbyllur për qarkullim.
Ndërkaq sot bandat kriminale serbe kanë ngritur edhe dy barrikada të reja, ku për pasojë është kufizuar lëvizja e lirë e qytetarëve në Mitrovicë të veriut dhe në Zveçan.
Pot sot, gjykatësit shqiptarë janë shpërngulur nga veriu në jug të Mitrovicës për shkak të pasigurisë dhe pamundësisë së lëvizjes së lirë, pas vendosjes së barrikadave më të reja sot në atë pjesë të Mitrovicës.