Marrëveshja për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë po konsiderohet si një mundësi e mirë për zhvillim ekonomik edhe për Shqipërinë, por edhe për Kosovën dhe qasje në korridoret evropiane.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliu u shpreh se linja hekurudhore Durrës-Prishtinë do të ketë impakt të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve.
Derisa tha se me këtë linjë hekurudhore plotësohet një ëndërr historike e shqiptarëve, Aliu theksoi se edhe në aspektin teknik kjo linjë është e favorshme për të dyja vendet.
“Përpos që kjo linjë hekurudhore do të plotësojë të themi një ëndërr në kuptimin historik të shqiptarëve, kjo do të bëjë një punë të rëndësishme drejt bashkimit ekonomik të të dyja vendeve dhe zhvillimit ekonomik në të dyja vendet për shkak se do të lidh portin e Durrësit, i cili synon të zhvillohet në një port të transportit të mallrave me Prishtinë e përmes kësaj linje ky port do të ketë komunikimin e drejtpërdrejt në korridorin 10 përmes linjave që lidhin Prishtinën me Nishin, që lidhin pastaj Sofjen dhe Stambollin tutje drejt Azisë dhe në veri përmes Leshakut me Beogradin e Budapestin, Vjenën[…] Pra, porti i Durrësit do ketë mundësi të lidhet drejtpërdrejt me një port tjetër të thatë atë të Prishtinës, i cili do të lidhet me korridoret që këtij porti do ia shtojnë vlerën e po ashtu do e rrisë mundësinë e zhvillimit ekonomik edhe tek ne në Kosovë. Një rëndësi tjetër e veçantë e cila shton mundësinë e zhvillimit të të dyjave vendeve është që edhe porti i Tivarit do të ketë mundësi shumë më të mira të komunikimit me këto korridoret evropiane përmes kësaj linje hekurudhore”, tha ai.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se projekti për hekurudhën Durrës-Prishtinë nxit dhe shkëmbimin dhe rrit volumin e tregtisë që do të ketë midis dy vendeve. Ajo u zotua se sa më shpejt do të kryejnë fazat e prokurimit të përbashkët për këtë projekt.
“Nënshkrimi i këtij memorandum është një nga hapat më konkret që ne do të hedhim në mbledhje duke qenë se që të dyja qeverisë janë angazhuar konkretisht dhe financiarisht në buxhetin e tyre 2022 për të alookuar fonde për sa i përket këtij studimi të këtij fizibiliteti për ngritjen në të ardhmen e hekurudhës nga Durrësi në Prishtinë[…]Ne synojmë sot që të bëhemi pjesë e korridoreve të lëvizjes brenda Ballkanit por edhe pjesë e korridoreve që na lidhin me Evropën dhe sigurisht që hekurudhat janë mënyra e transportit më efecientë dhe më miqësore ndaj ambientit. Ajo çka është më e rëndësishme në këtë projekt është nxitja dhe shkëmbimi dhe rritja e volumeve të tregtisë që do ketë midis dy vendeve tona”, tha ai.
Në mbledhjen e shtatë të dy qeverive asaj të Shqipërisë dhe Kosovës e cila po zhvillohet në Elbasan, janë nënshkruar 13 marrëveshje.