UBT News

​Aliu: Finalizimi i projektit për zgjatjen e pistës e bën Aeroportin e Prishtinës konkurrent në rajon

Projekti për zgjatjen e pistës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” do të mundësojë normalizimin e hapësirës ajrore dhe hapjen e rrugëve të reja me shtetet fqinje.

Kështu ka deklaruar në një konferencë për media ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili tha se me finalizimin e këtij projekti ANP “Adem Jashari” bëhet konkurrent në rajon.

Ai tha se me këtë rast sistemi instrumental i aterrimit në aeroport avancohet nga kategoria 2 në 3B, e që do të ndikojë në eliminimin e shkaktarit kryesor të anulimit të fluturimeve dhe rënies së numrit të udhëtarëve.

“Ky është një projekt i veçantë dhe ka një rëndësi të veçantë sepse këtë aeroport e bën konkurrues në rajon. Me finalizimin e këtij projekti, do të realizohet zgjatja e pistës prej 2500 metra sa është momentalisht në 3050 metra dhe do të kemi instalim të pajisjeve të rëndësishme për përcjelljen e kapaciteteve teknike të Agresionit të Navigimit Ajror për ofrimin e shërbimeve në vend. Me realizimin e këtij projekti, sistemi instrumental i aterrimit në këtë aeroport avancohet nga kategoria 2 në 3B e që është një avancim jashtëzakonisht cilësor e që Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës e bën konkurrent në rajon. Ky është projekt i MI, i qeverisë së Kosovës, i cili është nënshkruar në vitin 2017, ndërsa vlera e tij totale me TVSH është 33 milionë 566 mijë e 305 euro”, tha ai. 

Ministri Aliu tha po ashtu se me këtë projekt do të mundësohet normalizimi i hapësirës ajrore e që nënkupton hapjen e rrugëve të reja me shtetet fqinje.

“Po ashtu, pajisjet, të cilat do të funksionalizohen me këtë projekt e që kanë të bëjnë me navigimin, me meteorologjinë do të luajnë rol shumë të rëndësishëm për aterrim në kushte të vështira atmosferike dhe me këtë rast do të eliminohet shkaktari kryesor i anulimit të fluturimeve dhe rënies së numrit të udhëtarëve që e shfrytëzojnë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Me këtë projekt do të mundësohet normalizimi i hapësirës ajrore e që nënkupton hapjen e rrugëve të reja me shtetet fqinje… Ne kemi hasur në gatishmëri të madhe që ky projekt të kryhet sa më shpejt, brenda këtij viti. Jemi duke punuar edhe më tej që të hapen edhe korridore të tjera, siç është ai me Malin e Zi”, shtoi Aliu.

Edhe komandanti i KFOR-it, major gjeneral Franco Federici tha se ky është një hap shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe për zhvillimin ekonomik.

Përmes këtij projekti, ai tha se kompanitë do ët kursejnë para, teksa shtoi se do të ulet edhe kosto e fluturimit.

“Ky është një hap shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe për zhvillimin ekonomik. Do të keni më shumë udhëtar, më shumë turistë. Dhe, është një gjë e mirë edhe për kompanitë sepse ato do të kursejnë para dhe kosto e fluturimeve do të ulet dhe së fundi, por jo më pak e rëndësishme, edhe mjedisi do të përfitojë sepse do të shfrytëzohen më pak karburante. Në përgjithësi, një hap shumë i rëndësishëm ky që ndërlidhet edhe me trajnimin dhe arsimimin e kontrolluesve të ri të trafikut këtu ën Kosovë, dhe në përgjithësi kisha me thënë që është një sukses i madh”, tha ai.

Drejtor i operimeve në LIMAK, Gokmen Aritay tha se janë të lumtur që si palë e kontraktuar kanë arritur të mbajnë premtimin për përfundimin në kohë të projektit.

“Projekti është për zgjatjen e pistës, mirëpo përmban edhe shumë elemente të tjera që përmirësojnë të gjitha standardet e sigurisë dhe menaxhimin e hapësirës ajrore. Ne si LIMAK, si palë e kontraktuar jemi shumë krenarë që jemi pjesë e kësaj. Jemi shumë të lumtur që mbajtëm premtimin tonë dhe e përfunduam në afat siç e kemi parashikuar”, u shpreh ai.

Projekti për zgjatjen e pistës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” është nënshkruar në vitin 2017, ndërsa vlera e tij totale me TVSH është 33 milionë 566 mijë e 305 euro.

Exit mobile version