Kuvendi Komunal i Shtimes ka mbajtur seancën inauguruese, ku u betuan kryetari i zgjedhur, Qemajl Aliu dhe asamblistët e rinj të kësaj komune. Me 11 vota për gjatë kësaj seanca inauguruese është zgjedhur edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal të Shtimes, Adnan Ademaj.
Në ceremoninë solemne, kryetari Aliu u betua se si udhëheqës i komunës së Shtimes do t’i kryejë me nder dhe përgjegjësi detyrat e tij ndaj qytetarëve të kësaj komune pa dallime partiake. Aliu tha se nga sot për qytetarët e Shtimes fillon një shpresë e re dhe ndryshim i shumëpritur.
“Nga sot fillon jetësimi i një shprese të re për te gjithë qytetarët pa dallim të bindjeve të tyre politike. Do t’i kryej me nder dhe përgjegjësi detyrat e mija për të gjithë qytetarët e komunës së Shtimes të cilët nëpërmjet një procesi zgjedhor demokratik më besuan votën e tyre për tu shërbyer të gjithëve. Është vullneti juaj që sot ndodhem para jush me dëshirën dhe vullnetin për të sjell ndryshimin e shumëpritur në qytetin tonë të dashur”, tha ai.
Aliu tutje tha se gjatë qeverisjes së tij do të sigurojë perspektivë, shërbime cilësore dhe prosperitet ekonomik.
“Dua t’iu siguroj edhe njëherë se për komunën e Shtimes po fillon kapitull i vullnetit dhe shpresës për të gjithë qytetarët, për fëmijët dhe pleqtë, gratë, burrat dhe rininë tonë të jashtëzakonshme dhe energjike dhe qytetarët me nevoja të veçanta. Zbatimi i planit tim qeverisës do të fillojë nga dita e sotme duke vlerësuar çdo punë dhe nismë të mirë që është bërë por mbi të gjitha duke sjell frymën e pritjes tuaj të ndryshimit. Iu siguroj se Shtimja do të jetë një vend më i mirë për të punuar, më cilësor për tu arsimuar, më i shëndetshëm për të jetuar, më kreativ për të krijuar dhe më novator për tu ndërtuar. Meritokracia, transparenca, llogaridhënia do jenë themelet për funksionimin e qeverisjes sonë”, u shpreh Aliu.
Kryesuesi i sapo zgjedhur i Kuvendit Komunal të komunës së Shtimes, Adnan Ademaj u zotua se detyrën e tij do e kryej me përgjegjësi dhe paanësi.
“Iu siguroj për punë të përgjegjshme paanësi zbatim të rregullave dhe angazhim në përmbushjen e detyrave. Ne synojmë ndryshimin dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Jemi për të përmbushur kërkesat e nevojat e tyre për te biseduar rreth planeve dhe strategjive për punët qe duhet kryer gjithmonë duke i shërbyer qytetarit shtimjan”, tha ai.
Nga asamblistët e Partisë Demokratike të Kosovës për kryesues u propozua Përparim Ramusa, por nuk mori vota të mjaftueshme.